Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka organizuar dje turneun e futbollit të madh, aktivitet ky që u mbajt në kuadër të Javës Olimpike 2021.
Pjesëmarrëse ishin ekipet e KOK-ut, Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, Veteranët e futbollit, Gazetarët Sportivë dhe Estrada, përcjell FrontOnline.
Turneun e fituan Gazetarët Sportivë, të cilët në finale mundën Komitetin Olimpik të Kosovës, me rezultat 5:0. Humbja e energjisë nga dy ndeshjet paraprake, bëri që lojtarët e KOK-ut, të mos tregojnë paraqitje të njëjtë si në takimet tjera.
KOK-u arriti të shënojë dy fitore. Fillimisht mundi Veteranët e futbollit, të cilët përbëheshin nga ish-futbollistë që kanë lënë gjurmë në futbollin tonë dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Ndeshja u mbyll pa gola, ndërsa në penallti, olimpikët triumfuan 3:2.
Në gjysmëfinale, KOK-u u takua me MKRS-në, të cilën e mundi 3:0.
Gazetarët Sportivë, në gjysmëfinale shënuan fitore 5:2 ndaj Estradës, e cila në radhët e veta kishte këngëtarë dhe artistë të njohur.
Para kësaj ndeshje u mbajt një minutë heshtje në nderim të figurave të çmuara të artit, kulturës dhe sportit, këngëtarit Ismet Bogujevci dhe aktorit Rasim Thaçi Cima, të cilët u ndanë nga jeta muaj më parë.
Çmimi i lojtarit më të mirë shkoi për Fatos Preniqin e Gazetarëve Sportivë.
Trofeun fituesit të turneut ia dorëzoi presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ndërsa medaljet për vendin e parë u ndanë nga Fitim Arifi, drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS dhe për vendin e dytë nga Faton Paqarada, pronar i kompanisë “Vlera Sport”, e cila dhuroi medaljet dhe trofetë enkas për këtë turne.
Turneu u organizua në stadiumin e “Ramiz Sadikut” në Prishtinë./FrontOnline/
https://www.facebook.com/kosovoolympiccommittee/posts/5688432527895406?__cft__[0]=AZUlHupOAxVCBoETl3MntjEOVjewzc_6b8sCnqv09KYWYW0fCQAL4Lbe-IIrdLDmZL9N5kWc-bSM82d8nk1Gt3O73BDFiRgUBKPY8LhliupK8VA1N3qPi_v35aN1rHkw0rPW3kc9ObiYUKwJxQMbu72Q&__tn__=%2CO%2CP-R