Gazeta prestigjioze franceze ‘Le Figaro’ ka përzgjedhur një fotografi interesante për t’ia uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale kandidatit Demokrat, Joe Biden.
‘Le Figaro’ ka përdorur një ilustrim grafik të një fotografie dekorative në mur në një kafiteri, e cila mban mbishkrimin “Urime Z. President, nga Kosova me dashuri”.
Mediumi nuk ka arritur të mësojë se nga kush është publikuar fotografia fillimisht.
Sidoqoftë, kandidati Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një garë të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandate të dytë si njeriu i parë i Amerikës.
Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.
Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.
Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën, shkruan Express.
Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë.