Pavarësisht se është bërë gati një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, së paku deri më tash Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj organizatorit të sulmit Milan Radojçiqit, por edhe pjesëmarrëseve tjerë në këtë sulm të armatosur.
Më 24 shtator 2023, në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës.
Në atë kohë pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, të cilat u raportuan si prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Kabashi: 346 ditë pa aktakuzë
Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehë shqetësim për vonesën e gjatë në ngritjen e aktakuzës.
Kabashi theksoi se kanë kaluar 346 ditë që nga ngjarja, por ende nuk është ngritur një aktakuzë ndaj të dyshuarit kryesor, Milan Radojçiqit
Ai e bëri të qartë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë përgjegjësinë për hetimin e rastit dhe ka kryer konfiskime dhe bastisje, por nuk është e qartë pse aktakuza nuk është ngritur ende.
Sipas Kabashit, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, i miratuar nga shumica parlamentare që aktualisht udhëheq me pushtetin, parashikon një periudhë 3-vjeçare për ngritjen e aktakuzës.
Megjithatë, ai theksoi se, ndonëse Prokuroria është ende brenda këtij afati ligjor, periudha e gjatë pa aktakuzë është e pakuptueshme dhe krijon dyshime mbi efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
“Pas ndodhjes së rastit me 24 shtator deri më sot del se kanë kaluar 346 ditë, apo 11 muaj e 11 ditë dhe se deri më tash nuk kemi aktakuzë të ngritur. Dihet se në masën e paraburgimi gjenden tre persona si të dyshuar për sulmin në fjalë dhe se qysh prej momentit kur ka ndodhur rasti PSRK-ja ka njoftuar se ka bërë konfiskime dhe bastisje dhe se rasti nga Prokuroria ishte duke u hetuar edhe për shpëlarje parash. Tash duhet ditur se Kodi i Procedurës Penal në fuqi i cili është miratuar pikërisht nga shumica parlamentare që udhëheq me pushtetin ka paraparë që brenda periudhës 3 vjeçare të ngritët aktakuza dhe na del se prokuroria është brenda afatit ligjor për ngritje të aktakuzës”, tha ai për Front Online.
Kabashi kritikoi partinë në pushtet për zgjatjen e afatit të ngritjes së aktakuzës përmes ndryshimeve të miratuara në Kodin e Procedurës Penale gjatë vitit 2022.
Ai argumentoi se këto ndryshime, të cilat u miratuan për të zgjatur periudhën e hetimeve dhe procedurave ligjore, tani po përdoren për të justifikuar vonesat në rastin e Banjskës, ndonëse e njëjta parti është e angazhuar për ngritjen e aktakuzave për raste të tjera me prioritet të lartë.
“Është e pakuptueshme se si partia në pushtet kërkon që të ngritët sa më shpejt aktakuzë në këtë rast kur kjo parti vet ka zgjatur afatin kohor për ngritje të aktakuzës përmes miratimit të Kodit të Procedurës Penale gjatë vitit 2022”, potencoi Kabashi për FrontOnline.
Berisha: Kjo Qeveri bashkëpunon me Radojçiqit
Në lidhje me vonesën në ngritjen e aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti, si dhe Prokurorisë.
Berisha thotë se Kurti po e akuzon Prokurorinë për mosveprim dhe po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për mos kërkimin e dorëzimit të Radojçiqit nga Serbia.
Sipas tij, ky veprim është një përpjekje për të justifikuar mosveprimin në lidhje me kërkesën për ekstradimin e Radojçiqit dhe për të mbuluar përgjegjësinë për ngadalësimin e procedurave. Berisha gjithashtu e ka kritikuar prokurorinë për përdorimin e taktikave që, sipas tij, kanë për qëllim të krijojnë një aktakuzë të dobët që do të dështojë në gjykatë.
Ai ka theksuar se ky ngadalësim është një strategji për të shmangur përballje me fakte të vërteta dhe për të mbuluar ndonjë bashkëpunim të mundshëm me Radojçiqin.
Deputeti i PDK-së ka përmendur se Beogradi ka kërkuar bashkëpunim për dorëzimin e Radojçiqit, por ka kërkuar prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin.
Ai thotë se Qeveria po përpiqet të manipulojë situatën për të shmangur dorëzimin e Radojçiqit dhe për të mbuluar ndonjë bashkëpunim të mundshëm me të.
“Kjo qeveri ka qëllim për ta ngutur aktakuzën për ta dështuar sepse kanë bashkëpunim dhe bashkë koordinim me ta”, u shpreh Hiseni
Deputeti i VV-së: Jemi të shqetësuar me mungesën e veprimeve të sistemit të drejtësisë
Deputeti Arbër Rexhaj ka theksuar rëndësinë e fakteve të deponuara në këtë rast. Ai ka përmendur se janë mbledhur 5000 fakte, të cilat janë publikuar nga Policia e Kosovës në një konferencë për media.
Rexhaj ka shprehur shqetësimin për mungesën e veprimeve të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një dështim të rëndë për të drejtën dhe përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur integritetin e saj.
“Pra janë 5000 fakte deponuara, 5000 fakte të cilat policia e Kosovës publikisht në një konferencë për media ku ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë kanë treguar pra arsenalin se çfarë kanë gjetur në Banjskë , është vrarë një rreshteri Afrim Bunjaku tashmë dëshmor i kombit ndonëse në anën tjetër nuk kemi asnjë veprim të drejtësisë në këtë aspekt dhe sigurisht kjo është për keq ardhje”, tha Rexhaj për Front Online.
Ai ka kritikuar gjithashtu aleatët ndërkombëtarë që, në vend që të bëjnë trysni ndaj Serbisë për dorëzimin e Radojçiqit dhe terroristëve të tjerë, kanë vendosur masa ndaj Kosovës.
Rexhaj e ka cilësuar këtë si një lloj të padrejtësie të madhe që i bëhet Republikës së Kosovës, duke theksuar se sjellja e Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë është e padrejtë në raport me Kosovën, veçanërisht në kontekstin e sulmit terrorist në Banjskë që sipas tij kishte për qëllim aneksimin e një pjese të veriut të Kosovës.
Për këtë çështje Front Online i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Speciale, por nga ata nuk ka arritur të marrë përgjigje. / Front Online /