Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi e ka quajtur deklaratë të dëmshme thirrjen e kryetarit të VV’së Albin Kurti drejtuar shqiptaro-amerikanëve për të votuar Joe Bidenin në zgjedhjet e 3 nëntorit në ShBA.
Gashi ka thënë se deklarimi i Kurtit përbënë ndërhyrje në punët e brendshme të ShBA’së.
“Deklarimi i ish-kryeministrit për zgjedhjet në SHBA përbën ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti mik. Dëmi do të jete disadimensional”, ka shkruar Gashi.
Sot gjatë ditës kreu i VV’së, Albin Kurti me anë të një video-mesazhi në gjuhën angleze u ka bërë thirrje shqiptaro-amerikanëve që të votojnë për kandidatin demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në ShBA.
Uk Lushi ka reaguar pasi i pari i VV’së nëpërmjet një videoje kërkoi nga shqiptarët që jetojnë në SHBA që të votojnë për kandidatin demokrat për president, Joe Biden.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Uk Lushi thotë se shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara janë mjaft të dijshëm për të vlerësuar se për kë të hedhin votën në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
“Shtetasit amerikanë me përkatësi apo prejardhje shqiptare janë njerëz të dijshëm dhe do të votojmë sipas vullnetit të lirë. Afër 1 milionë shqiptarë të Amerikës nuk kanë nevojë për mësuesë apo tutorë si të votojmë”, shkruan Lushi në Facebook.