Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë më shumë mbështetje për komunat sa i përket ballafaqimit me COVID-19.
Ai këto kërkesa ia tha zëvendëskryeministrit, Besnik Tahiri, gjatë një takimi që zhvilluan sot.
“Sot, në një takim me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Besnik Tahiri, e njoftova për situatën aktuale me pandeminë COVID-19 në komunën e Obiliqit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi në këtë kohë, po ashtu, kërkova nga zëvendëskryeministri Tahiri, që Qeveria e Republikës së Kosovës të ofrojë përkrahje për institucionet e nivelit lokal duke pasur parasysh se komunat janë institucioni i parë dhe më i afërt për qytetarët në këtë betejë me virusin COVID-19”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Facebook.
“Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Tahiri, u zotua se institucionet qendrore do të përkrahin komunat në vazhdimësi, sepse sfida me këtë pandemi është e përbashkët dhe përmes koordinimit ndër-institucional do të ofrohen mundësi më të mira për qytetarët”.