Fadil Ademi është një emër i njohur për futbollin e Kosovës.
Ai e kishte nisur karrierën si futbollist në vitin 1986, duke u dalluar për paraqitjet e tij të mira në fushën e gjelbër, shkruan FrontOnline.
Edhe pas përfundimit të karrierës, Ademi nuk iu nda futbollit, duke kaluar në profesionin e trajnerit.
Si trajner, ai bëri emër te klubi që sot nuk ekziston Hysi, duke e fituar titullin e Superligës dhe Kupën e Kosovës në edicionin 2010/11.
Ademi që sot drejton me shumë sukses Ulpianën, e bën edhe një punë tjetër jashtë futbollit.
Tash e 13 vite, ai është gardian në Qendrën Edukuese Korrektuese në burgun e Lipjanit.
Të dyja punët i bën me pasion
Fadil Ademi rrëfen për FrontOnline se ndonëse ka disa vështirësi, të dyja punët i bën me shumë pasion.
“Është pak e vështirë, por kur i do të dyja punët nuk është problem. Me vullnet, njeriu i bën të dyja punë”, ka thënë Ademi.
Ulpiana është lidere në grupin B të Ligës së Parë dhe është kandidat potencial për inkuadrim në Superligë.
Kryetrajneri Fadil Ademi thotë se nuk e ka pritur këtë ecuri rezultatesh.
“Jo, nuk e kemi pritur kete ecuri rezultatesh. Kemi pasur ambicie mesatare, shkojmë ndeshje mas ndeshje dhe jam i kënaqur me skuadrën time”, tregon ai.
Atmosfera tek Ulpiana dhe e ardhmja
Në rrëfimin e tij, trajneri lipjanas tregon se atmosfera tek Ulpiana është mjaft e mirë, derisa është shprehur optimist për vendin e parë.
“Atmosfera prej fillimit është e mirë dhe rezultatet e kanë bërë këtë gjë. Kemi futbollistë të mirë dhe kemi gjasa të mëdha që t’ia dalim nga vendi i parë”, theksoi Ademi.
Sa i përket të ardhmes tek Ulpiana, ish-ndihmëstrajneri i Llapit nuk e ka me nxitim këtë punë.
“Le të inkuadrohemi njëherë në Superligë, dhe pastaj ta shohim objektivat e klubit”, përfundoi të martën për FrontOnline Fadil Ademi.
Ndryshe, pas 22 javësh, Ulpiana ndodhet në vendin e parë në grupin B të Ligës së Parë me 40 pikë të tubuara./FrontOnline/