Niveli i referimit është njëra prej temave më të diskutuara në futbollin kosovar gjatë viteve të fundit, raporton FrontOnline.
Nuk ka xhiro që kalon dhe që klubet kosovare nuk ankohen për nivelin e referimit në Superligën e Kosovës apo edhe në rangjet tjera të futbollit tonë.
Si pasojë e gabimeve të gjyqtarëve, këta të fundit dënohen nga komisionet përkatëse të Federatës së Futbollit e Kosovës.
Së fundmi, të dënuar kanë qenë gjyqtari më i mirë i vitit 2020 në Kosovë, Mervan Bejtullahu dhe gjyqtari tjetër, Tefik Maloku.
Dyshja u dënuan për shkak të gabimeve në xhiron e 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Mervan Bejtullahu ishte gjyqtar kryesor në ndeshjen Prishtina – Llapi, e cila kishte shkaktuar shumë bujë, me llapjanët që kishin kritikuar ashpër Bejtullahun për gabimet e bëra.
Ndërkaq, Maloku ishte gjyqtar kryesor në ndeshjen Feronikeli – Drita dhe i njejti është dënuar për arsye të njejta – gabime në referim.
FrontOnline mëson se dyshja e gjyqtarëve janë dënuar me nga katër ndeshje mos-referim të ndeshjeve në futbollin kosovar.
Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Gani Havolli nga Komisioni për Delegimin e Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit e Kosovës.
“Po, Mervani dhe Tefiku kanë qenë të dënuar me nga katër ndeshje. Ata janë rikthyer këtë xhiro, por në Ligën e Parë”, deklaroi të shtunën Gani Havolli për FrontOnline.
Ndryshe, Mervan Bejtullahu dhe Tefik Maloku janë rikthyer këtë javë në punën e tyre.
Mervan Bejtullahu është deleguar për ndeshjen e së dielës mes Vitisë dhe Dardanës, kurse Tefik Maloku drejtoi sot derbin mes Flamurtarit dhe Ulpianës (3:1)./FrontOnline/