×
  • Lajme
  • Lajme

    G7 përfundon takimin e nivelit të lartë me një paralajmërim të fortë për Kinën

    FrontOnline
    15 Qershor 2024

    Drejtuesit e vendeve të G7 përfunduan takimin e nivelit të lartë me paralajmërimin më të fortë të bërë deri më tani Kinës, duke deklaruar se mbështetja nga Pekini për bazën e industrisë ushtarake të Moskës “po i mundëson Rusisë të vazhdojë me luftën e saj të paligjshme në Ukrainë”.

    Udhëheqësit e G7 ranë gjithashtu dakord me propozimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i ofruar Kievit dhjetëra miliarda dollarë kredi, që do të shlyhen nga interesat e krijuara nga asetet e ngrira të Rusisë që gjenden në institucionet financiare perëndimore.

    Kryeministrja italiane, njëkohësisht organizatore e takimit të nivelit të lartë, Giorgia Meloni, tha se “kemi arritur një marrëveshje politike për të ofruar 50 miliardë dollarë mbështetje të mëtejshme financiare për Ukrainën deri në fund të vitit”.

    Udhëheqësit e vendeve demokratike më të pasura të botës thanë se janë “të angazhuar për t’ia shtuar Rusisë kostot e luftës”, duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj atyre që ndihmojnë Moskën në shmangien e sanksioneve.

    Bëhet e ditur se paralajmërimi ndaj Kinës gjendet në deklaratën e përbashkët të qarkulluar nga udhëheqësit, ndërsa po përfundonte dita e dytë e takimit të nivelit të lartë në Apulia, të Italisë. Komunikata përmban gjuhën më të fortë të përdorur deri më tani ndaj Pekinit, duke reflektuar kështu zhgënjimin e presidentit Biden me rolin që po luan Kina në fuqizimin e makinerisë së luftës së Rusisë.

    “Pekini po i ofron Rusisë teknologjinë për të prodhuar armë”, tha presidenti Biden gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Pra, po ndihmon në fakt Rusinë”, shtoi ai.

    Udhëheqësit e G7 vunë në dukje edhe rrezikun që paraqet Kina për sigurinë e ekonomisë globale, përfshirë mbiprodhimin e veturave elektrike dhe praktikat e tregtisë dhe investimeve në vendet në zhvillim.

    Bashkimi Evropian njoftoi një rritje të tarifave deri në 38 për qind për importet e automjeteve elektrike kineze, mes hetimeve nëse prodhuesit kinezë të automjeteve po mbingarkojnë tregjet evropiane me automjete elektrike më pak të shtrenjta, të subvencionuara nga qeveria.

    Pekini tha se “do të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij, por nuk u kundërpërgjigj ndaj BE-së.

    Ndryshe, në fillim të këtij viti, SHBA-ja katërfishoi tarifat për automjetet elektrike kineze.

    “Me kalimin e kohës, është më e qartë se ambicia e presidentit kinez Xi Jinping është të rivendosë dominimin e Kinës të paktën në rajonin Indo-Paqësor, ndoshta edhe më gjerë. Dhe kjo po zhvillohet kryesisht nëpërmjet një përpjekjeje për të vendosur dominim ekonomik dhe teknologjik”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden në kushte anonimiteti.

    “Mbështetja e Pekinit për Rusinë mund të përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë e Evropës”, paralajmëroi zyrtari amerikan.

    Ndërkohë SHBA-ja njoftoi sanksione dytësore ndaj entiteteve që ndihmojnë Moskën, përfshirë kompanitë me seli në Kinë që shesin gjysmëpërçues në Rusi dhe banka më të vogla kineze me lidhje me institucionet financiare ruse ndaj të cilave janë vendosur më herët sanksione.

    Udhëheqësit riafirmuan gjithashtu mbështetjen për propozimin e fundit të armëpushimit në Gazë. Presidenti Biden tha se nuk ishte i bindur se do të arrihej së shpejti një pauzë në luftime dhe se Hamasi ishte përgjegjës për vonesën.

    “Kam paraqitur një propozim që është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga G7, nga izraelitët, dhe pengesa më e madhe deri më tani është refuzimi i Hamasit për të nënshkruar, edhe pse kanë paraqitur diçka të ngjashme”, tha ai. /VOA/

    Për Stresin, Xhuli është spiune (VIDEO)
    Nga Rubrika
    Lajme21 Qershor 2024
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vdekjes së gruas së veprimtarit të kësaj partie, Enver Malokut, Havës. Abdixhiku tha se...
    Lajme21 Qershor 2024
    Partia katalunase “Junts per Catalunya” kanë marrë një iniciativë në Parlamentin e Spanjës për t’i kërkuar Qeverisë së Spanjës njohjen e pavarësisë...
    Lajme21 Qershor 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Hamburg të Gjermanisë, e ka vizituar objektin e ri...
    Të tjera
    Lajme21 Qershor 2024
    Ka vdekur Hava Maloku, gruaja e Enver Malokut, kreut të Qendrës Informative të Kosovës, bashkëpunëtorit të ngushtë të Dr. Ibrahim Rugovës. Lajmin...
    Lajme21 Qershor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se përbërja është problemi kryesor në Ligjin...
    Bota/Rajoni21 Qershor 2024
    Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ishte pjesëmarrës në takimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian...
    Sport21 Qershor 2024
    Austria ka arritur të marrë tri pikët e para në këtë edicion të “EURO 2024”. Kombëtarja austriake triumfoi ndaj Polonisë me shifrat...
    Vip21 Qershor 2024
    Tayna dhe ish-menaxheri i saj Rinor Hykolli, kanë pasur një përplasje mes tyre, e cila shkoi deri aty sa dyshja të ofendonin...
    Lajme21 Qershor 2024
    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se po fillojnë fluturime të reja nga Prishtina, me çmime më të lira. Aliu përmes...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.