Donat Rrudhani është njëri prej shumë futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në skuadra të ndryshme të futbollit zviceran.
22-vjeçari që aktivizohet tek Aarau është duke kaluar nëpër një formë sensacionale këtë edicion në divizionin e dytë në Zvicër, raporton FrontOnline.
Mesfushori i krahut të djathtë ka qenë futbollist i pazëvendësueshëm tek Aarau këtë edicion, duke u paraqitur në 38 ndeshje në të gjitha garat.
Ai kontribuuoi edhe me tetë gola dhe nëntë asistime për skuadrën e tij, numra me të cilën ai ka marrë vëmendje të madhe në Zvicër.
Përkundër formës së mirë të treguar këtë edicion, Rrudhani ende nuk ka rënë në sytë e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes.
FrontOnline nga burime të afërta me futbollistin në fjalë mëson se 22-vjeçari nuk është ftuar ende nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e muajit qershor.
Të rikujtojmë se “Dardanët” gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër miqësore.
Fillimisht, më 1 qershor do të përballen me San Marinon në “Fadil Vokrri”, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor./FrontOnline/