Futbollisti i Trepçës’89, Endrit Ibrahimi e ka marrë rrugën e mërgimit duke u larguar nga Kosova, për t’iu bashkuar babait të tij, ish-hendbollistit të Trepçës, Ahmet Ibrahimi.
Me ikjen e tij, Trepça’89 ka mbetur pa njërin prej mbrojtësve më të mirë në skuadrën e juniorëve, raporton MitroSport, përcjell FrontOnline.
Ai tashmë është bashkuar me babain e tij në Finlandë, ndërsa skuadra është shprehur e mërzitur me ikjen e lojtarit të tyre, duke thënë se dyert e Trepçës’89 do jenë gjithmonë të hapura për te.
“Endrit Ibrahimi, një futbollist i talentuar dhe një djalosh shembullor, është larguar nga shkolla jonë, përkatësisht nga Trepça ’89. Endriti i është bashkuar babait të tij në Finlandë dhe do ta vazhdoj jetën dhe karrierën në këtë vend. Endriti është rritur në shkollën tonë dhe prej fillimit është shquar për sjellje të mira dhe për përkushtim. Së fundi ishte pjesë e juniorëve dhe ishte me potencial të jashtëzakonshëm për të kaluar te seniorët. Ishte shtyllë e mbrojtjes.
Endriti i dëshirojmë suksese të mëdha në jetë e karrierë. Dyert e Trepçës ’89 do të jenë gjithnjë të hapura për të”, ka shkruar klubi mitrovicas.
Edhe babai i Endritit, Ahmet Ibrahimi, ka qenë sportist, mirëpo ai ishte portier i dalluar në hendbollin kosovar duke qenë pjesë e skuadrës së Trepçës për shumë vite./FrontOnline/