Valmir Veliu është njëri prej futbollistëve më cilësor që aktivizohet në futbollin e Kosovës.
“Raketa” e Llapit në edicionin që lamë pas ndihmoi skuadrën e Tahir Batatinës ta fitojë Kupën e Kosovës në futboll, raporton FrontOnline.
Për shkak të talentit dhe paraqitjeve të mira në fushën e gjelbër, 20-vjeçari në çdo afat kalimtar bëhet “cak” i klubeve të huaja, por edhe atyre vendore.
Së fundmi, ka pasur spekulime se ylli i Kosovës U21 është duke u vëzhguar nga klubi i madh turk, Beshiktash.
Madje, skoutët e kampionit të ri të Turqisë kanë qenë duke e përcjellur Veliun këtë edicion në shumë ndeshje.
Në lidhje me të ardhmen e Veliut, FrontOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e Llapit, Petrit Miftari.
Miftari ka pranuar se Veliu është “cak” i klubeve turke, derisa thotë se klubi i Llapit është duke e pritur ofertën më të mirë në drejtim të futbollistit.
“Është e vërtetë se Valmir Veliu ka qenë ‘cak’ i disa prej klubeve turke. Skoutët e klubeve turke kanë qenë në vëzhgim të tij që nga faza përgatitore në Antalya ku ai bëri paraqitje shumë të mira”, ka thënë Miftari.
Megjithatë, një marrëveshje për transferimin e Veliut jashtë vendit, Miftari thotë se ende nuk është finalizuar.
“Vëzhgimi ndaj Veliut vazhdoi edhe në stinorin pranveror. Klubi është duke shqyrtuar ofertën më të mirë që vie në drejtim të klubit ashtu edhe për futbollistin. Kështu, nuk mund të japim më shumë detaje tani”, deklaroi të mërkurën për FrontOnline Petrit Miftari.
Ndryshe, Veliu është paraqitur në 36 ndeshje këtë edicion për Llapin në të gjitha garat, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar shtatë asistime./FrontOnline/