Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll, apo e parafundit për garat e rregullta në elitë.
Kjo xhiro pritet të jetë shumë interesante, pasi mund të përcaktojë shumëçka sa i përket garës për “Play-off” dhe për të mos rënë nga Superliga, përcjell FrontOnline.
Sfida e parë do të jetë ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës. Therandasit ndodhen në vendin e tretë me 42 pikë, kurse pejanët renditen në vendin e katërt me 40.
Ylli do të mundohet të sigurojë dy vendet e para në renditje, kurse pejanët do të jenë më të relaksuar, pasi kanë siguruar vendin e katërt.
Takim shumë interesant pritet të jetë ndërmjet Trepçës dhe Rahovecit. Për mitrovicasit është sfidë vendimtare, sepse ndodhen në vendin e gjashtë në tabelë me 36 pikë, një më shumë se Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi, kurse Vreshtarët ndodhen në vendin e dytë me 43, një më pak se Ponte Prizreni dhe një më shumë se Ylli.
Të dielën do të zhvillohet derbi prizrenas mes Bashkimit dhe Ponte Prizrenit. Bashkimi renditet në vendin e pestë me 37 pikë, kurse Ponte në vendin e parë me 44 pikë.
Sfidë e ‘zjarrtë’ pritet ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, dy skuadra që nuk kanë rezultate të dëshirueshme në Superligë. Të dy skuadrat kanë nga 35 pikë, duke u renditur në vendin e shtatë, përkatësisht të tetë dhe do të jetë përballje direkte për të mos rënë nga Superliga.
Dy vendet e para në renditje do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale të “Play-off”-it, kurse në çerekfinale do të ballafaqohen vendi i tretë me të gjashtin dhe i katërti me të pestin. Vendi i shtatë do të luajë në “Play-out” me finalistin e “Play-off”-it të Ligës së Parë, kurse vendi i tetë bie nga Superliga.
Renditja momentale është kjo: Ponte Prizreni 44, Rahoveci 43, Golden Eagle Ylli 42, Peja 40, Bashkimi 37, Trepça 36, Sigal Prishtina 35 dhe Vëllaznimi 35.
Superliga – Xhiro 27
E shtunë
17:00 Golden Eagle Ylli – Peja
19:00 Trepça – Rahoveci
E diel
17:00 Bashkimi – Ponte Prizreni
19:00 Vëllaznimi – Sigal Prishtina./FrontOnline/