Derisa po luhen ndeshjet e fazës së fundit në futollin e Kosovës për këtë edicion, është rikthyer në masë të madhe dhuna në fushat e gjelbra.
Vetëm gjatë fundjavës që lamë pas, në tri ndeshje ka “shpërthyer” dhuna, duke bërë bujë të madhe në opinion, shkruan FrontOnline.
Në ndeshjen e parë, mes Fushë Kosovës dhe Vjosës, ndeshja u ndërpre pasi kishte shqelma dhe grushta.
Një ditë më pasë, ndeshja e Ligës së Parë mes Ferizajt dhe Ulpianës nuk u zhvillua deri në fund, derisa u ndërpre në minutën e 95-të, pasi gjyqtari kryesor, Petrit Rama u sulmua nga një tifoz ferizajas.
Ndërkaq, në ndeshjen e tretë, mes Minatorit dhe Beharit, gjyqtari e ndërpreu ndeshjen në minutën e 45-të për shkak se portieri rezervë i vendasve e sulmoi gjyqtarin.
Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim këto ngjarje në futbollin e Kosovës, derisa i shqetësuar reagoi edhe gjyqtari i njohur, Valmir Selmonaj.
FrontOnline kontaktoi me trajnerin e Vjosës, Erdin Hashani, i cili tha se “dhuna në sport është e patolerueshme”.
FFK: Nuk do të lejojmë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave
Shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë, Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar dje (e diele) e shqetësuar në lidhje me ngjarjet në fjalë.
Sipas FFK-së, organet kompetente nuk do të lejojnë prishjen e mbarëvajtjes së garave dhe imazhit të futbollit tonë.
“Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim incidentet e ndodhura gjatë kësaj fundjave në disa prej stadiumeve tona. Me këtë rast e dënojmë ashpër dhunën e shfaqur në ndeshjen e Ligës së Parë, Ferizaj – Ulpiana dhe në dy ndeshjet e Ligës së Dytë, Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari. Për FFK-në çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat. Ftojmë të gjitha organet dhe komisionet tona që gjatë ditëve në vazhdim të shqyrtojnë e të analizojnë në detaje ngjarjet e ndodhura këtë fundjavë dhe të ndërmarrin masat e duhura ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena të pahijshme. Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra. FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e FFK-së.
“Këto ngjarje të dhunshme të kthejnë në vitin 2000”
Trajneri i Vjosës së Shtimes, Erdin Hashani, skuadra e të cilit ishte pjesë e këtyre ngjarjeve në fundjavë, ka deklaruar se në sport nuk ka vend për dhunë.
Ai tregon se këto veprime na kthejnë në vitin 2000.
“Dhuna është e ndaluar gjithëkund e sidomos në sport, sepse sporti nuk do dhunë. Sporti i bashkon njerëzit dhe dhuna në sport është e patolerueshme. Duhet të dënohet secili prej nesh”, ka thënë Hashani fillimisht, duke vazhduar:
“Me dhunë në sport nuk shkojmë askund dhe mjaft kemi pasur gjëra të tilla. Federata duhet t’i ndaloj këto gjëra me mekanizmat e saj dhe t’i zbatoj rregulloret me përpikmëri. Këto ngjarje të kthejnë në vitin 2000, derisa ne sot jemi në viitin 2021”.
Tutje, ish-futbollisti i mirënjohur ka folur edhe për ndeshjen ku skuadra e tij u përfshi në “sherr”.
“Nuk e kuptoj pse tifozët duhet të hyjnë në fushë dhe t’i sulmojnë futbollistët e mi, kur as nuk kishte provokime, dhe e dyta në këtë kohë pandemie, nuk duhet të kemi tifozë në fushë. Atë ditë kishte shumë sikur të mos kishte masa. Përgjegjësinë duhet ta marrë klubi vendas për lejimin e tyre, por më e keqja e kësaj është se të sulmon edhe zyrtari i klubit vendas. Fatmirësisht, i kemi inçizimet sepse po të mos i kishim, çfarë do të ndodhte?”, tregon më tej Hashani.
Për fund, ai kërkon nga FFK-ja t’i zbatoj ligjet e saj.
“Thjesht, federata duhet t’i zbatojë ligjet që i ka dhe të jetë ligji i njejtë për të gjithë në mënyrë që këto dukuro njëherë e përgjithmonë të ndalen dhe të mos ketë tolerime”, përfundoi të hënën për FrontOnline Erdin Hashani.
Ish-gjyqtari i njohur: Gjyqtarëve t’u ofrohet siguri, mezi po pritni t’i dënoni
Për ngjarjet e fundit, ose saktësisht për sulmin ndaj gjyqtarit Petrit Rama në ndeshjen Ferizaj – Ulpiana, ka reaguar ish-gjyqtari i futbollit tonë dhe tash gjyqtar në Gjermani, Valmir Selmonaj.
Më poshtë e gjeni postimin e Selmonajt në “Facebook”:
“Reagim ndaj dhunes në Gjyqtaret e Futbollit të Kosovës!
Me keqardhje mora lajmin për sulmin fizik ndaj shokut tim Petrit Rama në ndeshjen
KF Ferizaj VS KF Ulpiana, Liga e Pare e Futbollit të Kosovës.
Une si ish Gjyqtare i Futbollit të Kosovës dhe tash Gjyqtare i Futbollit të Gjermanisë ndjej shume keqardhje per shokun Petrit dhe i deshiroje sherim sa me te shpejte.
Une kerkoj nga Komisioni i Garave qe të mos ket meshire ndaj këtyre Klubeve të Futbollit të Kosovës .
Une i drejtohem personalishte Kryetarit të Federates se Futbollit të Kosovës Z.
Agim Ademi me disa pytje:
1. Kryetar deri kur ma, dje ne ndeshjen e Ligës së Pare të Kosovës, KF Fushe Kosova VS FC Vjosa – Shtime, sot ne Ferizaj?
2. Sa i kqyr Gjyqtarët ku po gabojne e menxi spret mej denu pse spo ju ofron pak siguri?
3. Pse si po ankohet nje Klub po ndeshkohen Gjyqtaret?
4. Trajnerat ofendojne në Media denohen VEREJTJA E FUNDIT qa i bjen kjo Futbollit të Kosovës?
Me Sinqeritet
Valmir Selmonaj“./FrontOnline/