Në Forcën e Sigurisë së Kosovës po mbahet ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në botë, ku do jenë krah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se kjo është ditë historike.
“Kam ardhur t’ju them Zoti ju ruajt dhe faleminderit”, tha Osmani para ushtarëve të Forcës.
“Misioni gjashtë mujor po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ushtrinë amerikane, paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik”, tha tutje ajo.
Osmani deklaroi se Kosova e bëri lirinë dhe ndërtoi paqen bashkë me miqtë ndërkombëtarë.
“Ky kontingjent është i vogël në numër por i madh në përmbajtje dhe mesazh. Këta djem po shkruajnë historinë e re të Kosovës”, shtoi ajo.
“Si politikanë ndonjëherë mund edhe të mos pajtohemi e të debatojmë ashpër, Kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, për ushtrinë tonë, si politikanë dhe qytetarë ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Ne te gjithë jemi krenar me ju”, tha Osmani.