Tifozeritë e organizuara shqiptare nuk do të mundë të sigurojnë më bileta të rezervuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Kjo e fundit ka njoftuar se, për të pasur barazi dhe mundësi për gjithsecilin që të pajiset me bileta, e ka ndryshuar sistemin e shitjes së biletave duke ia mundësuar secilit individ që të pajiset me 4 bileta maksimumi.
Kjo nënkupton se krejt tifozët shqiptarë tash e tutje duhet të mundohen të sigurojnë bileta individualisht, e jo siç e kishin privilegjin deri tash që të siguronin bileta si tifo-grup, e të cilat më pas ua ndanin tifozëve të tyre.
E ky vendim i FSHF-së nuk është pritur aspak mirë nga grupet e tifozerive, shkruan “Gazeta Express”.
“Tifozat Kuq e Zi” dhe “Illyrian Elite” dolën sot me një një deklaratë të përbashkët pas këtij reagimit publik të FSHF-së.
Dy grupet, që vlerësohen si dy prej më të mëdhave që e përkrahin Kombëtaren shqiptare, vendosën t’i bashkojnë forcat për të reaguar ndaj këtij vendimi.
“Pas një takimi të përbashkët vëllazëror dhe qellim mirë, vendosem që te jemi bashkë në sfidat që gjendemi para. Bashkimi e bën fuqinë, e së bashku kemi vetëm dashuri për kombëtarën, që është më e madhe se pazaret e federatës. Shihemi së shpejti! Tifozat Kuq e Zi – Illyrian Elite 18.03.2025”, shkruajnë këto dy tifozeri.
Tifozat Kuq e Zi e kanë akuzuar paraprakisht FSHF-në se kjo e fundit nuk po iu jep më bileta duke e parë këtë si një hakmarrje për kundërshtimin e tyre për organizimin e përbashkët me Serbinë të Evropianit 2027 për moshat U-21.