Turneu i madh i tenisit “French Open” është shtyrë për një javë për shkak të masave të reja anti-COVID në këtë vend, ndërsa organizatorët e garës shpresojnë që kjo lëvizje do t’ua mundësojë më shumë tifozëve hyrjen brenda në arena.
Grand-Slami në rërë do të luhet nga 30 maji deri më 13 qershor, ndërsa kualifikimet nisin një javë më herët.
Wimbledoni do të nisë vetëm dy javë pasi të përfundojë “French Open”, shkruan mediumi anglez “Metro”.
Masat për Covid-19 u dhanë nga vetë presidenti Emmanuel Macron javën e kaluar, që thotë se tifozët nuk do të lejohen të hyjnë në arenat e tenisit, në datat origjinale të nisjes së turneut.
Kjo shtyrje e garës është mirëpritur nga Federata e Tenisit të Francës, që ka thënë se shtyrja është “zgjidhja më e mirë”, për t’u mundësuar tifozëve t’i shikojnë ndeshjet nga afër.