Më shumë se një milion çiklistë francezë kanë shfrytëzuar një subvencion prej 50 eurosh për të riparuar biçikletat e tyre të vjetra si pjesë e masave për të luftuar koronavirusin dhe tani qeveria dëshiron që më shumë njerëz të fillojnë t’i përdorin ato.
Pas izolimit të parë të Francës, qeveria ofroi subvencion që biçikletat e vjetra të riparoheshin. Ky program tash do të zgjerohet deri në fund të marsit i ndjekur nga lehtësimi i izolimit të dytë javën e kaluar.
“Pas këtij izolimi të dytë, qeveria dëshiron të inkurajojë francezët të përdorin biçikleta për të lëvizur”, ka thënë ministrja e Mjedisit Barbara Pompili të hënën, raporton Reuters.
Ajo shtoi se gjysma e njerëzve që riparuan biçikletat e tyre, shumë rrallë kishin lëvizur me to më parë.
Vetëm 3 për qind e francezëve përdorin biçikleta çdo ditë dhe qeveria dëshiron që ta trefishojë këtë numër.
Pompili ka deklaruar një skemë tre vjeçare prej 30 milionë eurosh për të inkurajuar punonjësit të zhvillojnë hapësirat e çiklizmit, duke financuar edhe sigurimin e 20,000 hapësirave të parkimit.
Shefi i Federatës së Çiklizmit në Francë, Oliver Schneider tha se janë 25 deri në 40 milionë biçikleta në Francë, por se rreth 15 milionë prej tyre janë në gjendje të keqe.