Fotoja e doktorit amerikan Joseph Varon që ngushëllonte një pacient të moshuar bëri xhiron e rrjetit dhe fitoi zemrën e atyre që e panë. Ai shërben në spitalin United Memorial Medical Center në Hjuston dhe momenti u kap në ditën e Falënderimeve.
Doktori tregoi historinë që fshihet pas saj në një intervistë për CNN dhe për mënyrën sesi trajtohen pacientët me Covid nga stafi i tij:
“Ai është në të 70-tat. Po qante si një fëmijë. Unë e pyeta se çfarë kishte. Ai më tregoi se dëshironte të kishte pranë familjen. Po mendoja për këtë burrë dhe për qindrat herët që kjo ka ndodhur me pacientët e tjerë. Hyj në dhomat e tyre; ulem në shtratin e tyre dhe bisedoj me ta, sepse ata me të vërtetë kanë nevojë për dikë që t’u shtrijë një dorë. Dhe stafi im është shumë i mirë e bën shumë mirë këtë, por ne kemi kaq shumë pacientë sa që nuk mund t’i mbajmë dorën çdo pacienti. Mundohemi të jemi njerëzor. Disa prej tyre qajnë pa pushim. Kemi pasur raste kur kanë tentuar të hidhen nga dritarja, është e tmerrshme për ne”.