Kosova do të përballet sot me Guinean në një ndeshje miqësore ne Turqi, me një përbërje plotësisht të re dhe të papërvojë që do të luajë për herë të parë së bashku.
Ky do të jetë takimi i tretë miqësor i Kombëtares së Kosovës këtë muaj dhe zhvillohet në orën 16:00, sipas kohës sonë lokale, në kompleksin sportiv “Arslan Zeki Demirci” në jug të Turqisë.
Challandes ka zgjedhur edhe 11-shen startuese për këtë ndeshje miqësore:
Visar Bekaj; Domgjoni, Jashanica, Thaqi, Bajselmani; Rrudhani, Broja, Loshaj; Topalli, Hoxha; Daku
Paraprakisht, Kosova e kishte mundur 4:1 San Marinon në Prishtinë dhe 2:1 Maltën në Austri, në dy ndeshjet e para miqësore ku Bernard Challandes luajti me ekipin e parë.
Për dallim nga ato dy ndeshje miqësore zyrtare, takimi me Guinena nuk është një miqësore zyrtare dhe Challandes ka vendosur ta formojë një ekip me futbollistë të rinj, kryesisht nga Superliga vendore, dhe nga jashtë, të cilët i sheh si me potencial për të ardhmen e tyre në kombëtare.
Guinea i ka dy fitore, dy humbje dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Kosova i ka tri fitore dhe dy humbje.
Verdhekaltrit do ta mbyllin ciklin e ndeshjeve miqësore të qershorit më 11 qershor në një miqësore tjetër jo zyrtare kundër Gambisë.