×
  • Auto
  • Auto

    Ford F-150, automjeti më i shitur në SHBA në 42 vjet

    FrontOnline
    07 Prill 2024

    Për më shumë se 40 vjet kompania Ford prodhon automjetin më të shitur në Shtetet e Bashkuara dhe modeli F-150 është makina më e shitur në pothuajse 50 vjet. Por çfarë e bën kaq të kërkuar tipin F-150? Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, vizitoi fabrikën e kompanisë Ford në Dearborn të Miçiganit, ku pa nga afër punën për prodhimin e automjetit të tipit F-150.

    Kompania Ford Motor është krenare për automjetet e tipit F-150. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin John Emmert, menaxher i përgjithshëm në kompaninë Ford.

    “Seria F ka qenë automjeti më i shitur në SHBA për 47 vjet, dhe automjeti më i shitur i çdo lloji për 42 vjet”.

    Por çfarë ka ky automjet që i tërheq blerësit për gjenerata me radhë? Vaux Adams sapo bëri një kontratë të re për automjetin e tij të dytë të modelit F-150.

    “Do ta mbaj këtë model sepse sapo bleva një shtëpi, më duhet të transportoj mobiliet dhe të punoj në kopsht. Më pëlqen pjesa e brendshme e kabinës, dhe ka një ekran të madh me prekje”.

    Kompania Ford thotë se përshtypjet e klientëve kanë ndihmuar në përmirësimin e vazhdueshëm të automjetit që kur u prodhua për herë të parë në vitin 1948.

    “Ne i njohim klientët tanë më mirë se kushdo tjetër. Vazhdimisht jemi duke bërë novacione me modelin F-150”, thotë menaxheri John Emmert.

    Zëri i Amerikës bisedoi me Corey Williams, i cili menaxhon fabrikën e prodhimit të firmës Ford.

    “Kemi të bëjmë me teknologjinë dhe brendësinë e kabinës që të ofrojnë një automjet luksoz. Kjo të bën të harrosh se ky është një automjet për punë të rëndë”.

    Rreth 5200 punonjës në turne 10 orësh vazhdojnë prodhimin pa pushim të këtij automjeti në fabrikën e Ford-it në Dearborn të Miçiganit. Fazat përfundimtare të procesit përfshijnë kontrollin e motorit dhe montimin e pjesëve kryesore së bashku.

    Procesi i montimit kontrollohet nga kompjuterat dhe nga punonjësit. Njerëz dhe robotë që punojnë së bashku për të prodhuar një automjet të ri çdo 53 sekonda.

    “Duhen njerëz për të ndërtuar automjete. Nëse shikoni inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e re që po përhapet, bëhet fjalë për bashkëveprim mes njeriut dhe teknologjisë. Çdo stacion pune ka kompjuterin e vet i cili i shërben operatorit për të garantuar cilësinë e punës”, thotë Corey Williams, i cili menaxhon fabrikën e prodhimit të firmës Ford.

    Në dyqanin e makinave “Suburban Ford of Sterling Heights” pranë Detroitit, rreth gjysma e automjeteve që shiten janë të modelit F-150.

    Menaxheri i përgjithshëm i dyqanit, Jim Elder, nget një të tillë.

    “Përshtatet me stilin e jetesës së familjes sime. Megjithëse nuk punoj në ndërtim, ky automjet më ndihmon të bëj shumë gjëra të nevojshme për shtëpinë, që nga transporti i biçikletave apo tërheqja e një rimorkio të vogël. I plotëson nevojat e përditshme”.

    Kevin Joostema ka eksperiencë të gjatë në industrinë e automjeteve. Ai thotë se kompania Ford ishte e para që prodhoi një automjet të tillë për një amerikan të zakonshëm dhe ende vazhdon të sjellë risi të reja.

    “Ka mbi një vit që Ford-i ka nxjerrë në treg automjetin elektrik. Udhëheqja novatore prej mbi 75 vitesh e kësaj kompanie ka bërë që njerëzit t’i besojnë më shumë kësaj marke dhe ta vlerësojnë këtë automjet”.

    Ai dhe disa kritikë të tjerë theksojnë konsumin e lartë të lëndës djegëse në lidhje me kilometrat e përshkuara. Por shitjet e larta tregojnë se kjo nuk përbën shqetësim për amerikanët. Kompania Ford thotë se ka prodhuar 41 milionë automjete të serisë F për tregun amerikan që nga debutimi për herë të parë i këtij automjeti 76 vjet më parë. Përfshirë pothuajse 760 mijë automjete të këtij modeli vetëm vitin e kaluar. /VOA

    Nga Rubrika
    Auto14 Nëntor 2024
    Porsche ka njoftuar se do të prodhojë 2,500 shembuj 911 Dakar, më ndryshe se të tjerët, e që me gjasë do të...
    Auto13 Nëntor 2024
    Volkswagen Group (VW) dhe rivali i Tesla, Rivian kanë nisur një sipërmarrje të përbashkët, me gjigantin gjerman të makinave duke rritur investimet...
    Auto12 Nëntor 2024
    AutoMita prezantoi modelin më të ri të Dacia Duster 2025 në Prishtinë, duke theksuar përmirësimet që e bëjnë këtë veturë një zgjedhje...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë padi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme...
    Vip14 Nëntor 2024
    Dalja e Gjestit nga shou më i madh televiziv shqiptar, Big Brother VIP Kosova, do të gëzonte disa prej banoreve brenda shtëpisë....
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokrazike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar mesazh Ministrisë së Arsimit, lidhur me doracakët për Edukatë Seksuale. Nga...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani në një intervistë në RTK ka folur rreth hapjes së Urës së Ibrit. Ai ka cituar...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të enjten gjeneralin Wesley Clark, i cili më parë ka qenë ish-komandant suprem...
    Vip14 Nëntor 2024
    Rovena tash e shumë ditë brenda qëndrimit në shtëpinë më të famshme në vend ka treguar se nuk dëshiron debat me Gresën...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.