Infermierja e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Zyrafete Basha-Kurti, ka folur për Mediafokus.info, pasi i humbi gjashtë anëtarët të familjes nga COVID-19 brenda gjashtë javësh, nga Koretini i Kamenicës.
E tronditur nga kjo tragjedi familjare, ajo nuk po mund t’i ndalë lotët, teksa shpreson se do të lutet të takohet me ta në botën tjetër.
Brenda gjashtë javësh, ajo humbi gjyshen, babain, xhaxhain, dy hallat dhe dajën.
“Të humbasësh të dashurit tuaj është sprovë dhe harrimi i tyre është i pamundur, i kujtoj ata dhe sytë lotojnë nga malli për t’i takuar, pastaj natyrshëm lutemi: O Allah! Na bashko ne Xhennet me të gjithë ata që u larguan nga ne! O Allah forcoje çdo zemër që është sprovuar me ndarjen nga të dashurit dhe stolise me durim të bekuar! Pushoni të qetë GJYSHE, BABI, XHAXHI, HALLA dhe DAJË. InshaAllah takomi në Xhennet së bashku siç e kaluam 1 muaj duke u munduar t’ju shpëtojmë nga Covid-19 por fatkeqësisht nuk ia dolëm, se Zoti ju deshti më shumë se ne”, ka thënë Basha-Kurti për Mediafokus.info.
Basha-Kurti e ka falënderuar Spitalin Regjional të Gjilanit për kontributin e dhënë për familjen.
“Shpresojë që edhe unë të kontribojë për familjet e të tjerëve. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Allahu ju mëshiroftë!”, ka përfunduar ajo.