Viktima e dhunës në familje, Selvie Krasniqi, ka treguar historinë e saj për dhunën sistematike që e kishte pasë për disa vjet nga një familjar i bashkëshortit të saj.
Krasniqi ka thënë se ndaj saj dhunë psikike dhe fizike kishte përdorur vëllai i burrit, i cili edhe e kishte larguar nga shtëpia.
“Unë kam qenë e martuar, burri im ka pasë edhe një grua tjetër. Ne i kemi dy djem, pas një kohe bashkëshorti im u sëmurë. Pas kësaj, kunati im kishte përdorur dhunë psikike ndaj meje për pesë apo gjashtë vjet. Unë nuk kisha mundësi të largohesha nga shtëpia, sepse nuk kisha ide ku do të përfundoja më pas. Kunati e kishte marrë shtëpinë time dhe me dokumentacion i takonte vetëm atij”, tha ajo në Klan Kosova.
“Pas një kohe, ai filloi të ushtronte edhe dhunë fizike ndaj meje, ditën e fundit më rrahu dy herë radhazi dhe më largoi nga shtëpia. Unë disa herë e patë thirr policinë, por ata nuk është se kanë shkruar ndonjë raport për rastin tim. Për katër vjet kam jetuar me vëllezërit e mi, dhe më pas kam provuar të shkojë në shtëpinë time, por familjarët e burrit sërish më larguan”, shtoi ajo.
Ajo ka deklaruar se disa herë ka tentuar ta marrë me dokumentacion shtëpinë e saj që e kishte më herët, por nuk kishte mundësi.
“Disa herë me avokat jam munduar ta marrë shtëpinë që e kisha, por nuk pata mundësi. Unë e kam marrë vetëm kujdestarinë e fëmijëve të mi. Pas katër vjetëve, unë u strehova në Qendrën për Strehimin e Grave në Gjakovë, ku më kanë ndihmuar shumë. Tani, më është siguruar një banesë në Prishtinë nga Forumi i Grave Shqiptare”.
Krasniqi u ka bërë thirrje grave dhe vajzave të tjera që ta raportojnë dhunën nëse ato e përjetojnë atë.