Ndonëse Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën, ai deri në këto momente nuk gjendet në asnjërën nga qendrat e paraburgimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ai është arratisur të shtunën dhe se ende Policia e Kosovës, nuk ka arritur të e arrestojnë, shkruan FrontOnline.
Pas arratisjes së Enver Sekiraqës, për FrontOnline ka folur Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, policit i cili dyshohet se është vrarë nga Sekriaq me 30 Gusht 2007.
Ai thotë se nuk e ka besuar se mundet me ndodhë kjo, duke kërkuar që të arrestohet dhe se sipas tij po dështon një hallë e drejtësisë për këtë rast.
‘’Unë besoj se asnjë njeri normal nuk e ka paraparë këtë, nuk e ka pritë këtë’’ shprehet babai i policit të vrarë Riza.
Riza, thotë se kjo është punë e drejtësisë dhe se është e pakuptueshme të dërgohet në arrest shtëpiak e pastaj të arratiset.
‘’Mirë por kjo është e sistemit të drejtësisë, nëse ai qohet në burgim shtëpiak e të lirohet krejt është e pakuptueshme kjo’’ deklaron ai.
Shefqet Riza, për Front Online thotë se atij nuk i takon të flas për këtë çështje, duke thënë se i takon drejtësisë të merret me të.
‘’Mua nuk më takon, le të merren këta të drejtësisë. Ata le ta shqyrtojnë këtë çështje’’ potencon ai.
Riza, deklaron se diçka nuk është duke funksionuar mire në sistemin e drejtësisë rreth këtij rasti.
‘’Unë po e shoh se një hallkë nuk po funksionon mirë në sistemin e drejtësisë. Kjo e dëmton sistemin e drejtësisë’’ shton ai.
Për fund, babai i Triumf Rizës, ka vetëm një kërkesë që arrestohet Enver Sekiraqa.
‘’Kërkesa jonë është të arrestohet krimineli edhe asgjë tjetër’’ potencon ai për Front Online.
Si kishte ndodhur vrasja e Triumf Rizës?
Triumf Riza së bashku me disa policë të UNMIK-ut po bënte një patrullim të zakonshëm, aty Riza ndali një veturë, ndërsa sipas prokurorisë, në veturë ishte Enver Sekiraqa dhe ky përbënte takimin e parë, të shumë takimeve (jo-miqësore) që do të pasonin mes Triumf Rizës dhe Enver Sekiraqës.
Gjithnjë sipas këtyre dy dëshmitarëve (Shefqet dhe Visar Riza – familjarë të policit Triumf Riza), Sekiraqa si një tip i vështirë dhe me gjithë reputacionin e tij, nuk e priti aspak mirë këtë ndalim prej policisë, ndërsa me një granatë dore kërcënoi policin Riza.
Historia e konfliktit mes Sekiraqës dhe Rizës përveç që lidhej me konfliktin në Sëiss Casino, sipas familjarëve të Rizës datonte qysh më herët. Ata pretendonin se përplasja mes tyre kishte nisur në vitin 2000.
“Sekiraqa ka tentuar ta aktivizojë bombën për ta vrarë Triumfinsë bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para shkollës së mjekësisë në Prishtinë ku Sekiraqa së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, I ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t`i marrë me dhunë tri vajza. Mirëpo ky ka ndërhyrë edhe KFOR-I dhe e kanë arrestuar Sekriqën “, pati thënë Shefqet Riza babai i Trimuf Rizës.
Me një fletë arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga UNMIK-u, në vitin 2007, Enver Sekiraqa kërkohej nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.
Për disa vite Sekiraqa ndodhej në arrati. U dorëzua në polici në vitin 2012.
Aktakuza ndaj tij u ngrit në prill të vitit 2014. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Në vitin 2016, gjykata atë e ka shpallur fajtor për vrasjen e policit të Njësisë Speciale Riza dhe për detyrim të pagesës së haraçit ndaj këngëtares Adelina Ismajli.
Ndërsa në piken e tretë të aktakuzës, mbi dyshimet për dhunim, Enver Sekiraqa është shpallur i pafajshëm.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.