Një punëtor i ndërtimit ka rënë nga 2 metra lartës në një objekt ndërtimi afër ndërtesës 40 katëshe.
Zëvendës kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku ka treguar për KosovaPress se punëtori është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe se ai është jashtë rrezikut për jetë.
“Punëtori ka rënë prej një lartësie diku afërisht 2 metra, nuk është tek ndërtesa 40 katëshe por mbrapa ndërtesës 40 katëshe[…]Sipas komunikimit që më dha inspektori ai është dërguar për trajtim, e sipas tij nuk është në rrezik për jetë”, tha Millaku për KosovaPress.
Millaku tregon se inspektorët, policia dhe policia dhe institucionet tjera janë në vendin e ngjarjes të cilët po bëjnë inspektimin e vendit të punës.
Ai nuk ka dhënë detaje tjera rreth asaj se si ka ndodh gjithë kjo, duke thënë se gjithçka do të bëhet e ditur pasi të përfundon raporti i inspektorëve.
“Inspektorët janë në vend të ngjarjes bashkë me institucionet tjera me polici dhe të tjerë, janë duke e bërë incizimin situacionit, gjegjësisht bëjnë inspektimin e vendit të punës dhe së shpejti do të kemi raportin zyrtar lidhur me rastin”, tregon Millaku.
Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka treguar për KosovasPress se ngjarja ka ndodhur të premten në ora 11:15.
“Rreth orës 11:15 është raportuar për një person të rënë nga lartësia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë rastin. Po ashtu janë ftuar edhe ekipet mjekësore për dhënien e ndihmës së nevojshme”, tregoi Borovci.