Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u kërkoi bashkatdhetarëve në Londër që ta votojnë atë në zgjedhjet e pranverës.
Shefi i Partisë Socialiste kërkoi ndihmën e shqiptarëve të Britanisë së Madhe, siç thotë ai për ta bërë shtetin e tij edhe më të mirë për të gjithë përfshirë edhe ata që nuk e mbështesin qeverinë e tij.
“Ju sot nuk jeni vetëm bashkatdhetarë. Ju jeni votues, që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke e gëzuar të drejtën e votës nga këtu ku jeni. Fare hapur unë u them, juve dhe shqiptarëve kudo që janë se pranverën e ardhshme, unë e dua votën tuaj, nga ky gadishull për t’u bërë të gjithëve ju edhe më krenarë, për Shqipërinë në sytë e botës. Dhe për ta bërë bashkë me ju Shqipërinë edhe më të mirë për çdo shqiptar, e të gjithë fëmijët e këtij vendi, edhe fëmijët e atyre që sot ishin te dera, të verbuar dhe të keqkuptuar”.
Derisa kreu i qeverisë shqiptare mbante fjalim, në sallë dëgjoheshin thirrje “Rama ik”, raporton A2 CNN, transmeton Klankosova.tv.
Kryeministri pas këtij reagimi e bëri përgjegjës opozitën, ndërsa tha se nuk ka vend më për ndasi mes shqiptarëve.
“Së bashku me ata pak që ishin futur këtu si diversantë, të cilët nuk janë fajtorë, sepse përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata të cilëve ju të gjithë së bashku me votë pranverën e ardhshme duhet t’u tregoni se duhet të largohen një herë e mirë, nga oborri i mexhelisit tonë, ku ka vend për të qenë të ndarë me pikëpamje, por nuk mund të ketë më vend për të qenë të ndarë në këtë formë, ku ndasia u shfaq sot: me 3000 veta këtu dhe 30 veta atje jashtë, të cilët nuk ndalonin së shari në shembullin e atyre që e kanë bërë parlamentin e Shqipërisë në sokakun e të marrëve që vetëm shajnë e vetëm predikojnë shkatërrim. Sot ju nuk jemi më ata që ishin kur erdhët këtu me emër tjetër. Por as Shqipëria nuk është më ajo që ishte 11 vite më parë kur emri i saj përgojohej. Lere të lutem, mos e ngacmo se është tek pullë, e kemi si hudhër.”