E mbani mend spektaklin “Dancing with the Stars” në Vizion Plus? Ka qenë një nga prodhimet më të famshme të televizionit të tretë më të madh në vend. Një konkurs kërcimi i personazheve VIP nga Shqipëria dhe Kosova, që ka pasur realisht mjaft sukses disa vite më parë.
Nëse ktheheni pas në kohë dhe kujtoni një nga sezonet e këtij spektakli, kuptoni se trashëgimtarja e Top Channel-it, Lori Hoxha, ka konkurruar dhe ka rezultuar një hit në Vizion Plus. Ajo ka arritur të mposhtë në finale këngëtaren nga Kosova, Flaka Krelani, e cila asokohe cilësohej si favorite prej pëlqimit të jashtëzakonshëm nga publiku.
Kryetari i jurisë në “Dancing with the Stars” ka qenë Ilir Shaqiri, koreografi i njohur me një karrierë të jashtëzakonshme në Itali. Ai ishte njeriu i cili thoshte fjalën e fundit. Pra, praktikisht Ilir Shaqiri vendoste fituesin, si profesionisti i vetëm në panelin e jurisë.
Kjo video që është bërë virale në TikTok kohët e fundit tenton të parashikojë fituesin e mundshëm te Big Brother VIP në Top Channel. Favoriti i sezonit të parë të këtij spektakli është pikërisht Ilir Shaqiri, njeriu i cili i dha fitoren Lori Hoxhës vite më parë në Vizion Plus si kërcimtare.
Pavarësisht etiketimeve “stafi” apo “Vëllai i Madh”, është e kuptueshme se njeriu kryesor dhe përgjegjës në Big Brother VIP është Lori Hoxha, bashkë me motrën e saj Sara. Me pak fjalë, duke marrë parasysh faktin se Ilir Shaqiri e ka suportuar mjaftueshëm dikur, sivjet mund t’i japë një dorë gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Një arsye tjetër pse Ilir Shaqiri konsiderohet si fitues, pra jo thjesht “për kthim nderi” nga Lori Hoxha, është fama e tij në Itali. Nëse koreografi fiton Big Brother VIP, do të kthehej në një temë dite në mediat italiane. Marketingu i spektaklit të Top Channel-it përtej Adriatikut do të ishte një pikë shtesë, që Ilir Shaqiri ka potencial ta sigurojë për televizionin më të madh në Shqipëri.