Trepça ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 71:60 (19:10, 17:23, 12:15, 23:12), në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Duke parë rëndësinë e ndeshjes, Trepça e nisi ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 19:10. Skuadra mitrovicase kishte epërsi edhe në periudhën e dytë, deri dy minuta nga fundi, kur mysafirët me gjashtë pikë radhazi ngushtuan shifrat në 36:33, sa përfundoi pjesa e parë.
Perioda e tretë ishte mjaft interesante, por që u fitua nga mysafirët 12:15, ku rezultati në semafor ishte 48:48 pas 30 minutash. Çereku i fundit ishte vendimtar. Trepça nuk lëshoi pe dhe me kalimin e minutave ngriti epërsinë, kurse triumfoi në fund 71:60, një fitore shumë e rëndësishme për klubin mitrovicas.
Te Trepça u dalluan Dino Butorac me 23 pikë e 18 kërcime, Drilon Hajrizi me 18 pikë e gjashtë kërcime dhe Stavros Toutziarakis me 12 pikë e nëntë kërcime, kurse te Rahoveci, Darell Davis shënoi 16 pikë, ndërsa Arian Qallaku 13.
Trepça tani ka 11 fitore dhe 16 humbje, ndërsa Rahoveci 17 fitore dhe 10 humbje./FrontOnline/