Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) është kthyer në rrugën e sukseseve. Pas shenjave të mira që dha në ndeshjet në Austri, Kosova të enjten në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë e mposhti Qipron me rezultat 30:21.
Ndeshja me Qipron i takoi grupit A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”. Vajzat tona kanë dominuar prej fillimit dhe kanë shfaqur më shumë cilësi se hendbollistet nga Qipro. Epërsia sa shkonte e rritej. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:9, përcjell FrontOnline.
Në ndeshjen tjetër të grupit A, Portugalia fitoi bindshëm ndaj Luksemburgut.
Marigona Hajdari ka organizuar në mënyrë të shkëlqyeshme lojën e përfaqësueses tonë. Ajo shënoi tri gola. Më efikaset ishin Arlinda Hajdari dhe Njoma Zogaj me nga 7 gola. Arlinda u shpall lojtare e ndeshjes.
Por në fillim të pjesës së dytë Arlinda pësoi lëndim të gjurit dhe nuk mundi të luaj më. Druhet se lëndimi i saj është serioz që do të ishte goditje e madhe për përfaqësuesen tonë.
Të enjten, Kosova luajti edhe pa Mirela Gjikokajn, ndërsa lëndim kishte edhe Marigona Hajdari. Mungojnë edhe Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj dhe plot lojtare të tjera.
Por lojtaret që janë në grumbullim kanë dhënë më të mirën ndaj Qipros. Janë angazhuar maksimalisht si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Me paraqitjen e tyre është ndarë i kënaqur selektori Agron Shabani, që ka vlerësuar paraqitjen.
Sot prej orës 19:30 është ndeshja e dytë ndaj Luksemburgut./FrontOnline/