Nga janari në mars të këtij viti bankat komerciale në Kosovë kanë fituar mbi 40 milionë euro, raporton portali Front Online.
Fitimet dhjetëra milionëshe të bankave vetëm për çerekun e parë të vitit 2023 janë rezultat i normave të larta të interesit në kredi dhe shtrenjtimit të vazhdueshëm të tarifave të shërbimeve bankare.
Vlera e përgjithshme e kredive të aprovuara nga sistemi bankar ka kaluar shifrën e 4.5 miliardë euro, prej të cilave rreth 1.7 miliardë janë kredi të ekonomive familjare dhe rreth 2.8 miliardë euro kredi të biznese.
Norma mesatare e interesit në kredi në fund të marsit ka qenë 6.3%, përderisa norma mesatare e interesit në depozita ka qenë vetëm 1.8%, apo 4.5 për qind dallimi në norma të interesit mes kredive dhe depozitave.
Në anën tjetër, vlera e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar ka tejkaluar shumën prej 5.5 miliardë euro, prej të cilave prej 3.7 miliardë euro janë depozita të ekonomive familjare, raporton Front Online.