Mbi 1 miliardë euro ka arritur fitimi neto i bankave komerciale në Kosovë nga viti 2015 e deri në gjysmën e këtij viti (2024), përderisa më shumë se gjysmë miliardë euro fitim kanë realizuar vetëm në tri vitet e fundit.
Bazuar në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ku flitet për performancën e sektorit bankar, nga viti 2021 e deri në qershor 2024, bankat komerciale në Kosovë kanë realizuar fitim të pastër mbi gjysmë miliardë euro, pothuajse një dyfishim i fitimit në raport me periudhën e kaluar, raporton portali Front Online.
Sipas raporteve që i ka analizuar Front Online, nga janari në qershor 2024 fitimi neto i bankave ka arritur në 90.9 milionë euro, në vitin 2023 bankat kishin fituar 155.3 milionë euro, 140.3 milionë euro në vitin 2022, 117.5 milionë euro në vitin 2021.
Para tri viteve të fundit, asnjëherë bankat komerciale nuk kishin arritur të fitojnë 100 milionë euro në vit. Në vitin 2020 bankat kishin fituar 79.9 milionë euro, 86.2 milionë euro i kishin fituar në vitin 2019, 88 milionë euro kishin arritur fitimet e tyre në vitin 2018, në vitin 2017 nuk kishin fituar më shumë se 85.4 milionë euro, në vitin 2016 kishin fituar 75.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 kishin arritur fitim neto prej 94.7 milionë euro, raporton FrontOnline.
Tusuni: Shteti ta subvencionojë interesin në kredi për qytetarët dhe bizneset
Në Kosovë operojnë 11 banka komerciale, në të cilat 83.2 për qind është pronësi e huaj.
Fitimet e larta të bankave viteve të fundit janë rezultat i shtrenjtimit të normave të interesit në kredi, si dhe shtrenjtimit të shërbimeve bankare. Norma mesatare e interesit në kredi ka arritur në 6.1 %, përderisa mirëmbajtja mujore e llogarisë për biznese në bankat kosovare shkon deri në 20 euro në muaj, më shtrenjtë se në shumë vende të Bashkimit Evropian.
Sipas BQK-së, në gjysmën e parë të këtij viti, të hyrat e përgjithshme të bankave kanë arritur në rreth 240 milionë euro, përderisa fitimi i pastër i bankave vetëm për 6-muaj ka arritur në rreth 91 milionë euro.
Amir Tusuni, njohës i sektorit bankar, thotë se fitimet e bankave komerciale do të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në tri vitet e ardhshme. Ai tregon se çka mund të bëj shteti për t’i mbrojtur qytetarët dhe bizneset. “Shteti nuk ka mundësi të intervenoj tek bankat komerciale, mirëpo mund ta subvencionoj pjesën e interesit, në mënyrë që kreditë të jenë më të përballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset”, shprehet Tusuni për Front Online.
Nushi i PSD-së: Qeveria “Kurti” ka marrëdhënie të afërt me bankat komerciale
Lëvizja “Vetëvendosje” sa ka qenë në opozitë disa herë ka organizuar aksione para Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), duke i kritikuar drejtuesit e saj dhe qeveritarët e atëhershëm për favorizim të bankave komerciale në kurriz të konsumatorëve.
Pjesë e këtyre aksioneve ka qenë edhe Nol Nushi sa ishte pjesë e VV-së, por që aktualisht është aktivist i partisë opozitare (Partia Socialdemokrate).
Nushi ka deklaruar për Front Online se fitimet e larta të bankave janë lënë të paprekura, ndërsa Qeveria ka ruajtur, siç thotë ai, një qasje të ngushtë me këto institucione.
“Qeveria ka mbajtur një marrëdhënie të afërt me bankat dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të adresuar fitimet e tyre të larta. Politikat fiskale janë mbajtur të pandryshuara, me tatimin mbi fitimin që mbetet i pandryshuar dhe dividentat që janë zero”, tha Nushi për FrontOnline.
Ai gjithashtu kritikon Qeverinë për mungesën e masave që do të siguronin një shpërndarje më të drejtë të fitimeve, duke shtuar se bankat shpesh nxjerrin fitimet jashtë vendit pa taksë.
“Fitimet qe bankat realizojnë nga popullata e Kosovës i nxjerrin jashtë si dividentë pa u taksuar fare”, deklaron Nushi.
Nushi po ashtu vuri në dukje se gjatë pandemisë, kur shumë qytetarë ishin në krizë, bankat arritën të realizonin fitime më të mëdha se më parë. Ai e përshkroi këtë situatë si një pasqyrë të qasjes së djathtë të qeverisë në politikën makroekonomike, e cila shpesh ofron paketa subvencionesh për efekte elektorale, duke injoruar nevojën për politika që sigurojnë barazi dhe shpërndarje të drejtë të pasurisë
“Kur në pandemi te gjithë ishim ne krize, bankat fituan me shume se me pare. Qeveria përgjithësisht ka qasje te djathte ne politika makroekonomike. Po ashtu shpesh ka vënë pako subvencionesh sa për efekte elektorale dhe për te zbutur vështirësitë e mungesës se politikave barazitare e rishpërndarës”, potencoi Nushi për FrontOnline.
Fitimi i bankave
Viti fitimi
2024 (janar-qershor) 90.9 milionë €
2023 155.3 milionë €
2022 140.3 milionë €
2021 117.5 milionë €
2020 79.9 milionë €
2019 86.2 milionë €
2018 88 milionë €
2017 85.4 milionë €
2016 75.5 milionë €
2015 94.7 milionë €