Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike në Podujevë, Agim Veliut, pas deklarimeve të sotme se “nuk e ka ndalë plumbi e lëre më bishtat e sakicave”.
Haziri ia ka kujtuar Veliut, thirrjet “mos e votoni Drenicën, jo ata që na kanë persekutuar e vrarë”.
Përkundër kësaj, siç thotë Haziri, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, vazhdimisht ka qenë bashkëpunëtor i personave të cilët ky i ka akuzuar si vrasës të tyre, duke ia përmendur bashkëpunimet me PDK-në e ish-presidentin Thaçi.
Deputeti i VV-së, e quan Veliun, abuzues me opinion publik, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do i kryejë më punë, për shkak se sipas tij, të dielën llapjanët do të votojnë për Shpejtim Bulliqin.
Shkrimi i plotë nga Fitim Haziri:
Me shkas deklarata e Agim Veliut!
Kundërshtari politik dhe abuzuesi i opinionit në Besianë, në 20 vitet e kaluara, po vazhdon traditën e abuzimit me opionin. Agim Veliu në 20 vitet e fundit, për qëllime puro politike e interesa personale, ka bërë thirrje raciste, e ka nxitë dallime e përçarje.
Deri më tani, ai u është drejtuar llapjanëve me thirrjet “mos e votoni Drenicën, jo ata që na kane persekutuar e vrarë”.Në të gjitha rastet, Agimi, ndryshe është shprehur e ndryshe ka vepruar.Po i njëjti ka qenë bashkëpunëtori kryesor i PDK-së dhe ish-presidentit. Ai vazhdon të mbetet abuzuesi i njëjtë. Edhe sot e paska vazhduar avazin e vjetër, por pak më ndryshe ndaj Shpejtim Bulliqit. Mirëpo ky diskurs me këtë abuzim nuk bën më punë. Sepse qytetarët janë ngopur me abuzuesin dhe e duan drejtesinë, barazinë, transparencën, mirëqeverisjen.Janë kundër korrupsionit, punësimeve familjare e partiake. Janë për meritokraci e zhvillim.Të gjitha këto qytetarët i duan dhe i besojnë VV-së. E për këto parime VV është dëshmuar dhe këto do t’i jetësojë Shpejtimi i VV-së dhe i qytetarëve.