Të shtunën e 17 prillit 2021, në ora 04:20 të mëngjesit, Fisnik Syla, i shoqëruar nga ish-bashkëshortja e tij Fjolla Morina, u nis nga Dubai për në ishujt Maldive pasi prenotuan një udhëtim një ditë më parë, të premten në mbrëmje, nga agjencia turistike As Travel.
Në ora 9 e 30, fluturimi i tyre, që ishte me Business Class, arriti në aeroportin ndërkombëtar të Maldiveve, në kryeqytetin Male.
E nga këtu u zhvendosën në kompleksin ekskluziv ku qëndruan deri më 23 prill të atij viti.
Biletat kthyese flasin se çifti Syla-Morina u nis nga Male në Stamboll, e më pas nga Stambolli për në Beograd.
Ky udhëtim çiftit i kushtoi 26 mijë euro, 23 mijë prej të cilave ende nuk i janë paguar agjencisë turistike.
Bota mediale menjëherë pas shfaqjes së hulumtimit, më 1 shkurt, vlonte nga lajmet nëse Fisnik Syla ishte borxhli apo jo ndaj kompanisë.
Personazhi kryesor ndërronte fjalët dhe qëndrimet e tij, varësisht se për kë fliste.
Në bisedën telefonike që Fisnik Syla pati me ekipin e emisionit Kiks Kosova ai nuk mohoi udhëtimin me këtë kompani, por zotohej se e kishte paguar udhëtimin përmes bankës pasi, siç tha ai, nuk kryen transaksione me para në dorë.
Por, të nesërmen, në Telegraf, ai ndërroi mendimin. Tani thoshte se paratë i pagoi me kesh.
Derisa zhurma e hulumtimit të Kiksit kishte kaluar kufijtë, ashtu edhe Fisnik Syla kishte ndërruar sërish qëndrim. Në televizionet e Shqipërisë tash kundërshtonte veten e tij dhe atë që deklaroi.
Syla tash thoshte se nuk udhëtoi kurrë me As Travel, e për më tepër as nuk e njihte pronarin e agjencisë.
Për më tepër, Syla që i lutej pronarit të agjencisë që t’ia paguante edhe shërbimet ekstra në hotel mohon autenticitetin e videove që janë dërguar pikërisht nga numri tij i telefonit.
Sidoqoftë, Fisnik Syla thotë se është i suksesshëm dhe s’i ka borxh asnjë njeriut.