Nguti i parisienëve për të dalë nga qyteti ose për të hyrë në të para se të hynin në fuqi masat e reja izoluese krijoi tollovi rekorde në trafik të enjten në mbrëmje.
Lëvizjet e dhjetëra mijëra veturave, që përpiqeshin të hynin dhe të dilnin nga qyteti krijoi kolona rekorde prej 706 kilometrave rreth orës 18, sipas të dhënave të Departamentit të Trafikut.
Masat kufizuese, të cilat do të qëndrojnë në fuqi për katër javë, hynë në fuqi në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, duke i nxitur njerëzit që ta shfrytëzojnë mundësinë e fundit për të shkuar në zona rurale, ose ata që janë në pushime të kthehen në vendbanimin e tyre.
Gjatësia e përgjithshme e kolonave të enjten ishte gati 200 kilometra më e madhe se rekordi i mëparshëm, i cili u shënua në të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Më 2019, kjo shifër ishte 525 kilometra, shkruan The Guardian.
Gazeta e njohur franceze, “Le Figaro”, raportoi se disa aksidente dhe prishje të veturave ndodhën në Paris dhe përreth tij gjatë tollovisë së madhe në trafik.
Gjatë masave të izolimit, njerëzit do të kenë të drejtë të dalin jashtë shtëpive dhe banesave vetëm për nevoja të pashmangshme si blerja e ushqimit, udhëtimi për në punë, nëse nuk ekziston mundësia të punohet nga shtëpia, dhe për arsye shëndetësore.
L’exode de Paris pic.twitter.com/9Ue2QzovMJ
— Peter Yeung (@ptr_yeung) October 29, 2020