Këngëtarja e njohur nga Ferizaj, Filloreta Raçi-Fifi, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “A Live Night” në Top Channel.
Ajo ka folur për jetën para se të bëhej e famshme, karrierën e po ashtu edhe anën private.
Krijuesja e hitit “Diell” tregoi se ishte bullizuar që fëmijë në shkollë, por pas moshës 17-vjeçe, nuk ka lejuar askënd ta fyejë apo paragjykojë.
“Që kur isha fëmijë e kam pasur bullizimin të pranishëm në jetën time. “Ti s’din shqip, nuk din të flasësh, je e trashë”. E kam diskutuar me mijëra herë dhe s’dua ta përsëris sepse nuk më jep energji shumë të mirë. Kam qenë fëmijë shumë i ndrojtur, deri në shkollën e mesme”, u shpreh ajo.
“Kam pasur në klasë dy tre shoqe, por kam ndërruar shkollën sepse mami filloi të punonte në një shkollë në Prishtinë. Ajo na mori atje që të na kishte nën kontroll, shtëpinë e kishim larg dhe bënim rrugën bashkë. Ishte problem për mua të krijoja shoqëri të re. Ndryshimi im ka filluar në shkollë të mesme kur isha 17-vjeçe. Ngaqë kam dëgjuar gjithë kohës njerëz duke më ofenduar e sharë, skam reaguar kurrë, por erdhi momenti kur nuk mund të duroja më. Nga ai moment nuk jam ndalur më dhe kam thënë çdo gjë që kam menduar mirë apo keq. Nuk jam njeri që të them një gënjeshtër për të bërë qejfin”, ka thënë më tej artistja.
E njëjta është komentuar në masë të madhe edhe gjatë qëndrimit në Big Brother VIP.