Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e deritashme të garave në të gjitha ligat. Nga diskutimet e anëtarëve të KE u konstatua se garat patën rrjedhë të mirë me dinamikën e paraparë në kushtet dhe rrethanat aktuale të pandemisë Covid-19, ku ndeshjet po zhvillohen me orar më të ngjeshur.
Gjithsesi deri më tash është vërejtur një angazhim maksimal i klubeve në organizimin e ndeshjeve, duke respektuar të gjitha masat anti-Covid-19. Deri me tash pati një ngritje të cilësisë dhe rritje të rivalitetit por krejt në suaza të një gare në frymë sportive. KE konstatoi se gjatë kësaj faze të garave pati edhe ankesa, prandaj u mbajtën takime me të gjithë faktorët relevant duke kërkuar nga ata që të jenë në nivelin maksimal dhe detyrat t’i kryejnë me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë profesionale, sepse nuk do të tolerohen lëshimet apo gabimet eventuale që do të ndikonin në mbarëvajtjen e garave. Po ashtu KE kërkon edhe nga klubet që të jenë dhe të sillen në përputhje me rregullat e fair-play-t dhe të mos i vënë në trysni organet e FFK-së që punën ta kryejnë me përgjegjësi.
KE analizoi edhe përgatitjet për ndeshjet e radhës të Kombëtares A e U21 dhe Kombëtares A të femrave, duke konstatuar se ato po shkojnë me programin dhe dinamikën e paraparë. Tutje KE u zotua që të punojë fortë në organizimin dhe profesionalizmin e FFK-së, në të gjitha segmentet drejt përmbushjes së objektivave të saj. KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.