Epidemiologu Lul Raka mendon se Kosova ka aktualisht situatën më të favorshme epidemiologjike në rajon.
Megjithatë, ai pret rritje të numrit të rasteve për shkak të grumbullimit të njerëzve për festat e fundvitit, ardhjes së mërgimtarëve dhe kontakteve të shumta familjare këto kohë.
“Aktualisht Kosova ka situatën më të favorshme epidemiologjike në rajon. Mirëpo kjo nuk duhet të krijojë asesi vetëkënaqësi te qytetarët sepse për shkak të grumbullimit të njerëzve në festat e fundvitit, numrit të madh të mërgimtarëve, kontakteve të shumta familjare, është e pritshme të ketë rritje të numrit të rasteve të infektimit me COVID-19.” , tha mikrobiologu Lul Raka për Klan Kosovën.
Epidemiologu tjetër shqiptar por që jeton në Zvicër, Taulant Muka, tha se rritjes së rasteve mund t’i kontribuojë edhe politika me tubimet elektorale.
“Nëse politika mbyll shkollat, atëherë sigurisht që nuk duhet të bëjë mitingje pasi ato mund të jenë përhapje të infeksionit”, i tha ai Klan Kosovës.
Në lëvizjen e lakores gjatë javëve në vazhdim, sipas Mukës, mund të ndikojë edhe moti i ftohtë ngase njerëzit rrinë më shumë afër njëri tjetrit, frekuentojnë më shumë restorantet dhe nuk qëndrojnë në ambiente të jashtme.