Kandidati i PDK-së për deputet dhe deputeti aktual, Ferat Shala, për FrontOnline ka kritikuar Qeverinë “Kurti” për shpërndarjen e mjeteve për pensionistët dhe fëmijët, duke e cilësuar si një tentativë për të blerë votat në prag të zgjedhjeve.
‘’Qeveria Kurti i përbuzi gjitha kategoritë sociale dhe tashmë në fund të mandatit po tenton t’i ri mashtroj me ndarjen e këtyre mjeteve të cilat mjete u duhen atyre, i meritojnë ato mjete’’, u shpreh Shala.
Ai tha se kjo është një përpjekje e vonuar për të rimarrë mbështetje nga kategoritë sociale, të cilat, sipas tij, janë injoruar gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie.
Shala theksoi se mjetet që po shpërndahen tani janë të merituara nga qytetarët, por koha dhe mënyra se si janë ndarë ato, nuk ofron asnjë mundësi për besim.
‘’Por koha se kur janë ndarë, mënyra se si janë ndarë, politika që udhëheq tash e katër vite me kategoritë sociale, nuk ka rrugë tjetër’’, tha ai.
Deputeti Shala e konsideron këtë veprim si një orvatje për të manipuluar votat, duke shtuar se qytetarët janë të vetëdijshëm dhe do ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet në ditën e votimit.
‘’Nuk ka mendim tjetër përveç se është një orvatje për ti blerë votat në prag të fushatës e kjo është edhe jo e sinqertë, jo e moralshme dhe tashmë unë besoj se qytetarët janë vetëdijësuar dhe këtë çështje do ta trajtojnë me seriozitet gjatë fazës së votimit.’’ deklaroj Shala./FrontOnline/