Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Fëmijët nga qendra “Autizmi flet” ia kanë uruar përmes një letre ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmanit, festën e 8 Marsit.
Sipas saj, lajtmotiv i 8 marsit është forca e gruas, qëndresa e përkushtimi.
“Sinonim dhe shëmbëlltyrë e këtyre grave janë nënat e fëmijëve me nevoja të veçanta. Bashkëbisedën e sotme me nënat nga qendra “Autizmi flet”, dhe me fëmijët e tyre margaritarë do ta mbaj përherë si udhërrëfyes e do të më shërbej përherë si rikujtim se kemi ende shumë punë për të bërë”.
“Derisa kjo shoqëri të jetë e hapur për të gjithë, derisa të gjithë të jemi të barabartë, deri atëherë s’mund dhe nuk guxojmë ta ndalim hapin që e kemi nisur, por të kujdesemi që tutje ta përshpejtojmë atë”.
“Sepse vetëm kur sytë tanë të shohin atë çfarë nuk panë të tjerët deri më tash, e kur veshët dëgjojnë atë çfarë të tjerët e injoruan deri më tash, vetëm atëherë 8 Marsi bëhet festë, e çdo ditë do të jetë një arsye shtesë për të festuar progresin tonë, të arriturat tona dhe mirëqenien në jetën tonë”.