FC Prishtina ishte rikthyer në stadiumin “Fadil Vokrri” në fillim të këtij sezoni, pas një kohe të gjatë “shtegtimi”, për shkak të renovimeve që u bënë në fushën e këtij impianti.
Bardhekaltrit e rikthyen entuziazmin, shikuesit u rikthyen në tribuna dhe për ta bërë më atraktive gjendjen, klubi vendosi që ekipi të luante edhe natën nën dritat e reflektorëve.
Por, ky momentum zgjati shumë pak për prishtinasit.
Kjo pasi ata nuk po bëhen rehat, nuk po e gjejnë assesi rehatinë.
Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi sot se stadiumi “Fadil Vokrri” do të mbyllet për çdo aktivitet sportiv në 25 ditët e ardhshme, në mënyrë që të rritet bari natyral, i cili mungoi në ndeshjet e fundit që u zhvilluan aty, qoftë të ekipeve kosovare në Evropë apo edhe në lojën e Kombëtares së Kosovës ndaj Rumanisë, duke marrë kritika të ashpra nga mysafirët.
Ndërkohë, FFK-ja njofton se aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kosovës më 15 tetor.
Kjo nënkupton se FC Prishtina s’do të mund ta përdorë stadiumin deri në pjesën e dytë të tetorit.
Kryeqytetasve iu duhet të “shtegtojnë” sërish dhe kjo mund të reflektojë në rezultatet e tyre, por edhe në rritjen e shpenzimeve.
FC Prishtina s’është bërë rehat qe një kohë të gjatë me stadium pasi kohë pas kohe, shkaku i renovimeve në “Fadil Vokrri”, i duhet të luajë si vendëse në stadiume të tjera në Kosovë. /Gazeta Express/