Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës ka reaguar ashpër pas sulmit me armë zjarri, i cili ka ndodhur dje ndaj një grupi të bjeshkatarëve, gjatë një ecjeje të organizuar nga “Kosova Monuntain Club”, në malet afër Zubin Potokut.
“Nuk është hera e parë që bjeshkatarët tanë kërcënohen me armë zjarri dhe sulmohen në të këtë mënyrë”, thuhet në reagim, përcjell FrontOnline.
FBAK shkruan se ky akt ka për qëllim që të krijojë pasiguri në ato pjesë të bjeshkëve të Kosovës.
“Kriminelët e llojit të tillë gjithsesi janë në dijeni se vazhdimisht bjeshkatarë nga rajoni vizitojnë bjeshkët e bukura gjithandej Kosovës dhe deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident. Padyshim se ky akt qyqar ka për qëllim që të krijojë pasiguri në ato pjesë të bjeshkëve, të cilat ndodhen brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.
Federata ka kërkuar nga organet kompetente, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbulimit dhe dënimit të kriminelëve, të cilët sulmuan adhuruesit e paarmatosur të natyrës./FrontOnline/