Tashmë ka përfunduar takimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në kategorinë e vajzave.
Ky duel ishte i karakterit miqësor, ku vashat e Kosovës triumfuan me rezultatin final në 1:3.
Pas kësaj ndeshje foli edhe trajnerja e përfaqësueses sonë, Afërdita Fazlija e cila për IndeksOnline tha se ndeshja shkoi shumë mirë ku me lojën kolektive arritën edhe te rezultati pozitiv.
“Loja në përgjithësi shkoj mirë edhe pse ishim me lojtare të ligës, në përgjithësi jam e kënaqur me angazhimin e lojtareve si dhe me posedimin e topit. Ndoshta në pjesën e parë kemi pasur mundësi të shënojmë më shumë, duke pasur parasysh rastet, por është e kuptueshme se ndeshjet miqësore shfrytëzohen edhe për prurjet e reja”, tha fillimisht Fazlija.
Ajo gjithashtu tha se i ka dhënë rëndësi më tepër lojtareve të reja dhe beson se çelësi i suksesit ishte puna kolektive.
“Për mua ka qenë e rëndësishme me ju dhanë rastin 6 futbollisteve të reja dhe me ruajt kontinuitetin e lojës. Çelësi i suksesit mendoj që është loja kolektive dhe dëshira për fitore, pra mentaliteti fitues”, tha ajo.
Kujtojmë se Kosova do të ketë edhe një ndeshje miqësore këtë muaj me Maqedoninë e Veriut.