Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha të martën se shpreson që presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk po planifikon ta shkarkojë atë.
I pari i shtetit amerikan kohët e fundit sugjeroi se mund ta pushonte nga puna mjekun e famshëm pas zgjedhjeve, raporton CNN.
I pyetur nga MSNBC-ja nëse është i shqetësuar se presidenti mund të bëjë presion në drejtorin e Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë për ta shkarkuar atë, Fauci pohoi se “Shpresoj që jo”.
Ai tha se kjo nuk do të ndihmonte qëllimin e përbashkët “Pavarësisht kush jeni, pavarësisht se cila administratë, të gjithë duam që kjo pandemi të marrë fund”.
Ai tha se vaksina Pfizer, së bashku me masat e vazhdueshme të shëndetit publik, ka potencial për t’i dhënë fund pandemisë.
“Vaksina është një mjet shumë, shumë i rëndësishëm për t’i dhënë fund kësaj pandemie”, tha Fauci.
Nëse vaksina miratohet nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për përdorim emergjent, Fauci tha se beson se dozat do të jenë në dispozicion për njerëzit “me përparësi më të lartë” deri në muajin dhjetor