Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania) në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit ka finalizuar 3 operacione të suksesshme gjatë 24 orëve të fundit, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprime të rrezikshme kriminale.
Në kuadër të operacioneve, është arrestuar një grua 60-vjeçare nga Shkodra dhe një 32-vjeçar nga Mamurrasi të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në Itali si dhe një suedez i akuzuar në vendin e tij për kanosje serioze për vrasje.
Euronews jep emrat e shtetasve të arrestuar:
Ylli Zherri alias Ylli Gjuci, 32 vjeç, i lindur në Mamurras, i cili u kap në Mamurras. Gjykata e Vareses, Itali, i ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Lumnije Freskina alias Lumnije Danaj, 60 vjeçe, e lindur në Shkodër, e cila u kap në Shkodër. Gjykata e Apelit të Firences, Itali, i ka caktuar masën “Arrest në burg” për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ahmad Farhan, shtetas suedez, i arrestuar në Tiranë. Gjykata e Orebros, Suedi, ka lëshuar urdhër-arrest për të, për “Kanosje serioze për vrasje”.
Këto arrestime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë të Policisë shqiptare me forcat e rendit italiane dhe suedeze, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 22”.
Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me autoritetet e rendit në Itali dhe Suedi për të finalizuar procedurat e ekstradimit të këtyre shtetasve, për t’i sjellë ata para drejtësisë në vendet përkatëse.