Java e ardhshme do të jetë javë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Të hënën pritet që, pos konstituimit të Kuvendit, të votohet edhe qeveria e re. Ndërkaq gjatë javës është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin.
Deri më tani, disa persona dihet se do të emërohen në krye të dikastereve qeveritare.
Njëri nga personat që po përflitet se do të jetë në krye të dikasterit të Kulturës, është Hajrullah Ceku.
Se Ceku do të bëhet ministër e thotë faqja “mekryeministrin” që menaxhohet nga aktivistë të LVV-së.
“meKryeministrin.info ka mësuar nga burimet e saj se Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta drejtojë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Harjullah Ceku, i cili vie nga qyteti i Prizrenit”, thuhet në njërin nga lajmet që ka publikuar kjo faqe.
Hajrullah Ceku më parë ishte zëvendësministër në Qeverinë e Edi Ramës, në Shqipëri. Ai për një kohë drejtoi dikasterin e Turizmit.
I njëjti në zgjedhjet e 14 shkurtit ka siguruar për herë të dytë ulëse në Kuvend të Kosovës.