Shtëpia e familjes Marku është djegur më 2019, ata akuzojnë Pjetër Ndrecajn për këtë vepër.
Janë të vetmet gjëra që nuk i ka mbuluar hiri.
Në shtëpinë ku u krye një nga krimet më të rënda, s’ka mbetur gjë e gjallë.
Po aq e zezë sa historia e vrasjes së bijës së familjes Marku, Valbonës bashkë me vajzën e saj 9 vjeçare, është edhe hapësira kudo nëpër shtëpi.
Prej këtu janë larguar edhe familjarët e Valbona Markut, pasi më 25 maj 2019, në përvjetorin e lindjes së saj, shtëpia u dogj.
Janë familjarët e Valbonës që akuzojnë bashkëshortin e saj, Pjetër Ndrecajn dhe familjen e tij për këtë akt.
Është vëllai i Valbonës, Shkëlzeni që në një përgjigje për televizionin ka thënë se djegia e shtëpisë lidhet me zhdukjen e provave për rastin e vrasjes së motrës e mbesës së tij.
Edhe avokati i familjes Marku, Isa Osdautaj thekson se me djegien e shtëpisë janë dëmtuar provat.
Osdautaj shton se ka kërkuar disa herë informata për rastin e djegies së shtëpisë nga institucionet përgjegjëse.
Në një përgjigje për televizionin, nga Policia Rajonale në Gjakovë kanë mohuar që rasti me djegien e shtëpisë lidhet me provat për rastin e vrasjes së Valbonës.
Televizioni ka kontaktuar edhe avokatin mbrojtës të të akuzuarit Pjetër Ndrecajt, Ndrecë Dodajn, por i njëjti ka refuzuar të deklarohet për akuzat e familjes Marku ndaj klientit të tij.