Për një muaj rresht familja Berkolli nga Prishtina nuk ka ditur asgjë për vendndodhjen e babait/gjyshit të tyre, Enverit 83 vjeç.
Në kërkim të tij ishte vënë Policia e Kosovës, grupet e vullnetarëve dhe qytetarë të tjerë. Madje, familja njoftoi se personi që do të arrinte ta gjente 83 vjeçarin do të shpërblehej me pesëmijë euro.
Kërkimi mori fund ditën e premte kur një person rrëshqiti në një gropë të mbuluar me thera e mbeturina në Velani të Prishtinës, ku edhe hasi në trupin e pajetë të Enver Berkollit.
Gazeta Express ka kontaktuar me një familjare të të ndjerit për të mësuar për shkaqet e vdekjes dhe mënyrës sesi u gjet i moshuari një muaj pasi u lajmërua si i zhdukur.
“E kemi gjetë të premtën, më 2 tetor në orën 15:00. Është gjetur prapa Ambulantës në Velani. Një kamilmtar ka shku për me mbledhë arra, aty ka rrëshqit dhe ka ra në gjyshin tonë, në të ndjerin”, tha një familjare e të ndjerit.
E pyetur nëse kanë ndonjë dyshim për vdekjen e tij, ajo tha se mjekët kanë konstatuar se Enver Berkolli kishte pësuar sulm në zemër kur edhe po ecte në lagjen Velania.
“Nuk kemi ndonjë dyshim. Gjyshi ka pas sulm, u ra u rrokullis deri poshtë, kemi kërku edhe në atë pjesë, por ka pas shumë thera dhe mbeturina, prandaj”.
Ajo shtoi se familja ndihet e pikëlluar për vdekjen e 83 vjeçarit, por tani ndihen më të lehtësuar pasi e dinë se e kanë varrosur.
“Është një lehtësim shumë i madh, humbja e tij është e madhe që e kemi vorros, por kemi qenë gjithë kohën në kërkim të tij”.
Sipas familjares së të ndjerit, më 31 gusht të këtij viti kur 83 vjeçari kishte dalë nga shtëpia e kishte humbur rrugën për shkak të nxehtësisë dhe më pas ka pësuar edhe sulm në zemër.
Ndërkohë, policia ka njoftuar dje për gjetjen e të ndjerit.
“PERSON I ZHDUKUR & VDEKJE E DYSHUAR Rr. 1 Tetori, Prishtinë 31.08.2020-17:00. Në lidhje me rastin është raportuar se me 02.10.2020 është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar i cili kohë më parë ishte raportuar si person i zhdukur. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, u bë e ditur në raportin 24 orësh të PK-së.