Fadil Fazliu u deklarua i pafajshëm, gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Ai po akuzohet për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
“Deklarohem i pafajshëm. Kam bisedu me avokatin një orë e diçka po unë jam i pafajshëm. Deklarohem i pafajshëm”, tha Fazliu, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë seancë gjithashtu u parashtrua që gjuha e punës të jetë anglishtja për këtë çështje gjyqësore.
Ndërsa, konferenca për ecurinë e çështjes u diskutua që të jetë 17 dhjetori 2024, duke filluar nga ora 14:00.
Avokati i Fadil Fazliut, Michiel Pestman tha se ai dhe klienti i tij do të marrin pjesë fizikisht në sallën e gjyqit. Ndërsa, prokurori parashtroi se do të jenë ë gatshëm për këtë seancë dhe po ashtu edhe ata do të jenë të pranishëm fizikisht.
Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.