Është bërë e ditur se në muajin dhjetor, mund të ketë zbutje të masave kufizuese në Francë, Itali, Irlandë e Belgjikë. Gjermania vetëm nga 20 dhjetori do të bëjë zbutje të lehta në drejtim të kontakteve personale, me lejimin e takimit të 10 personave nga familje të ndryshme nga 23 dhjetori deri pas 1 janarit.
Duhet theksuar se në Itali, nga e diela tre zona të kuqe infektimi u shpallën si zona portokalli.
Kjo lidhet me uljen e numrit të infektimeve në këto zona. Lombardia, Piemonte dhe Kalabria do të lejojnë lëvizjen e lirë nga ora 05:00-22:00 dhe banorët mund të udhëtojnë në zonat brenda rajonit.
Po ashtu do hapen qendrat tregtare, kurse baret e restorantet qëndrojnë mbyllur. Në Francë hapen dyqanet nga e shtuna, por restorantet, baret, kafenetë, palestrat e qendrat kulturore mbeten të mbyllura.
Nga ana tjetër, presidenti Macron, tha se është frenuar përhapja e virusit, por duhen përpjekje për të penguar një valë të tretë. Irlanda po ashtu pas gjashtë javësh kufizuese ka zbutur disa masa. Tani atje hapen dyqanet, restorantet dhe qendrat e fitnesit. Nga 18 dhjetori lejohen udhëtime të kufizuara. OBSH ndërkohë ka bërë disa herë të ditur, se imuniteti i ashtuquajtur imuniteti i tufës kërkon që të bëhet njëherë një vaksinim prej 70% i popullsisë.
“Një përqindje 60-70% është e nevojshme për një luftim të efektshëm të COVID-19. Vetëm tek shifra të tillë vaksinimi, virusi nuk do të përhapet aq shpejt.Vaksinimi do të ketë një efekt të madh, por se askush nuk mund të premtojë shuarjen e virusit, për sa kohë që nuk kemi kuptuar më shumë për të”, tha koordinatori OBSH Mike Ryan.