Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Evropa e ka regjistruar numrin më të madh javor të rasteve të koronavirusit, duke paralajmëruar se shifra e vdekjeve mund të pesëfishohet në krahasim me nivelin e prillit, nëse nuk merren masa efektive.
Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSh-së për Evropë, tha të enjten se virusi i ri është duke u përhapur me shpejtësi të madhe në mbarë kontinentin, me raste të veçanta që po raportohen në shtimin e rasteve ditore dhe rritjen e shifrës së viktimave përditë.
“Situata epidemiologjike që po zhvillohet në Evropë krijon shqetësim të madh. Rastet ditore janë shtuar, numri i pacientëve në spitale është rritur dhe Covid-i tash është shkaktari i pestë i vdekjeve”, tha Kluge. Në Evropë nga pandemia po vdesin më shumë se 1.000 persona në ditë.
Ai tha se rastet e konfirmuara në 53 vendet anëtare të OBSh-së në Evropë kanë shkuar nga gjashtë në shtatë milionë brenda vetëm dhjetë ditëve, ndërsa rekorde janë shënuar me 9 dhe 10 tetor, kur numri i rasteve ditore shkoi në mbi 120.000 për herë të parë, shkruan The Guardian.
Megjithatë, Kluge tha se ka arsye për optimizëm për shkak se gjendja nuk është e njëjtë si në valën e parë të pandemisë. “Po regjistrojmë dy deri tri herë më shumë raste në ditë në krahasim me prillin, por pesë herë më pak vdekje. Numri i të pranuarve në spitale po dyfishohet dy deri tri herë më ngadalë”, shtoi ai.
Rritja e numrit të testimeve po vlerësohet si një ndër shkaktarët e shtimit të rasteve të virusit, ndërsa përmirësimi i kapaciteteve spitalore për menaxhimin e rasteve të rënda po ndikon në uljen e shkallës së vdekshmërisë.