Vala e dytë e koronavirusit në Evropë ka dyfishuar rastet e reja në dhjetë ditët e fundit.
Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, rajoni ka kaluar 200,000 raste të reja brenda një dite, për herë të parë më 22 tetor.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Evropë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në kontinent aktualisht qëndron në 5.3 milionë, ndërsa numri i viktimave është afër 205,000.
Spitalet në të gjithë Evropën janë nën presion, edhe pse pranimet për koronavirus janë nën gjysmën e niveleve që kanë qenë në kulmin e pandemisë, gjashtë muaj më parë.
Në Republikën Çeke, tash për tash vendin e goditur më së keqi në Evropë, qeveria miratoi një plan për pranimin e rreth 300 profesionistëve shëndetësorë ushtarakë nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që do të ndihmojnë në trajtimin e fluksit të pacientëve me koronavirus.
Në Belgjikë dhe vende të tjera, spitalet janë duke shtyrë trajtimet jo-urgjente.
Koronavirusi në të gjithë botën ka infektuar mbi 41.6 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 1.1 milion kanë vdekur dhe mbi 28.3 milionë janë shëruar.
Koronavirusi është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, është përhapur në rreth 200 vende të botës.